Era e fuqishme që përfshiu ditë më parë komunën e Podujevës ka shkaktuar dëme në vlerë prej mbi 106 mijë euro. Këto vlerësime i bëri Komisioni për Vlerësimin e Dëmeve të Shkaktuara nga Fatkeqësitë Natyrore, njofton Zyra për Informim e Komunës së Podujevës, përcjell Llapi.info.

Raporti i këtij komisioni do t’i dërgohet Qeverisë së Kosovës pasi që Komuna e Podujevës nuk ka buxhet për kompensimin e këtyre dëmeve.

Sipas Raportit të këtij Komisioni dëmet e shkaktuara janë të natyrave të ndryshme, si në infrastrukturë, bujqësi dhe sektore të tjera, duke shkaktuar kështu dëme në vlerë të përgjithshme prej 106,794,59 euro.

Në infrastrukturë ku përfshihen shtëpitë e banimit, objektet afariste, sallat për bagëti dhe ekonomitë e tjera familjare dëmi i përgjithshëm është mbi 52 mijë euro.

Sipas njoftimit të Zyrës për Informim të Komunës së Podujevës, edhe sektori i bujqësisë ka pësuar nga era e fuqishme. Dëmet në këtë sektor kalojnë vlerën prej 51 mijë euro.

As objektet shkollore nuk kanë shpëtuar pa dëme, ku vlera e dëmeve të shkaktuara është mbi 2 mijë euro./Llapi.info

era