Këshilltari i PDK-së në Podujevë, Lutfi Rexhepi, ka thënë se Draft Strategjia e Zhvillimit Ekonomik për vitin 2016-2018 është tallje me ekzekutivimin. Këto deklarata ai i ka thënë në mbledhjen e Kuvendit Komunal që është mbajtur sot për propozimin e Strategjisë për Zhvillimin Ekonomik Lokal për periudhën 2016-2018, raporton Llapi.info.
Ai këtë dokument e ka quajtur joserioz dhe joprofesional, dhe si i tillë, sipas tij, nuk mund të quhet Strategji e Zhvillimit Ekonomik.
“Ky dokument është dokument bazik për planifikimin e zhvillimit ekonomik të komunës . Ky dokument është joserioz, joprofesional dhe si i tillë është e papranueshme mungesa e profesionalizmit për hartimin e kësaj strategjie. Ky dokument më së paku mund të quhet strategji, sepse është një përmbledhje e dobët dhe e pasaktë e historikut të komunës. Të paktën shuma e projekteve të jenë të përputhshme”, ka thënë Lutfi Rexhepi.
Ai ka thënë se strategjia më shumë parasheh objektiva që janë të detyruara më ligj.
“Ky dokument tall me ekzekutivin me tabelat dhe ngjyrat e saj. Strategjia nuk përmban bashkëpunim
ndërkomunal. Ky dokument në asnjë mënyrë nuk përmban kriteret për zhvillimin ekonomik të një vendi”, ka shtuar ndër të tjerash Rexhepi.
Ushtruesi i detyrës së Drejtorit të Drejtorisë së Zhvillimit Ekonomik në Podujevë, Avni Fetahu, gjatë paraqitjes së kësaj draft strategjie
tha se në planin strategjik janë paraqitur prioritetet për secilën drejtori, në bazë të misionit dhe vizionit.
Ndërsa, për ato që ka thënë Lutfi Rexhepi, Fetahu tha se Rexhepi mund të mos pajtohet me vizionin që ka strategjia, por nuk mund të thotë që strategjia nuk ka vizion. Derisa, Rexhepi i është kundërpërgjigjur duke thënë se askund nuk e ka përmendur vizionin e kësaj strategjie.
Data 5 shkurt është përcaktuar si datë kur do të mbahet një diskutim publik me qytetarë lidhur me Draft Strategjinë e Zhvillimit Ekonomik Lokal për vitin 2016-2018./Llapi.info