Agnesa Shala, 12-vjeçare dhe Agon Shala, 7-vjeçar nga Podujeva, tash e një vit kanë mbetur pa të dy prindërit. Nëna u ka vdekur pesë vite më parë, ndërsa, babai vitin e kaluar.
Pas vdekjes së babait, kujdesin mbi dy jetimët e ka marrë halla e tyre, e cila jetonë në asistencë sociale, ajo ka ardhur bashkë me burrin dhe dy fëmijët e saj të jetojnë në shtëpinë ku ka jetuar vëllau i saj. Para vdekjes së vëllaut ajo ka jetuar në Lagjen e Dëshmorëve.
Por, shtëpia në të cilën dy jetimët dhe halla e tyre jetojnë nuk i plotëson kushtet për një jetesë normale. Madje, shtëpia nuk është e tyre. Pronari i saj është një serb.
Jetimët dhe halla e tyre frikësohen se dita-ditës serbi do të kthehet dhe ata do të mbesin pa shtëpi.
Agoni përkundër moshës 2-vjeçare që ka pasur kur i ka vdekur nëna, ai kujton momentin kur në prani të tij nëna ka ndërruar jetë, derisa Agnesa ka qenë në shkollë.
Ata shpresojnë që dikush një ditë do u dal në ndihmë në ndërtimin e një shtëpie, pasi themelin për ndërtimin e shtëpisë e kishte filluar babai i tyre në vendlindjen e tij në fshatin Kunushec të Podujevës. Por, për shkak të kushteve të rënda financiare ndërtimi i shtëpisë ka mbetur vetëm në themel.
Komuna e Podujevës është e njoftuar me këtë rast. Drejtori i Drejtorisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Agron Hyseni, ka thënë se ky rast është specifik, për shkak se personat që mbajnë këta jetima janë raste sociale.
“Është një e mirë që secili rast, merr nga 75 euro për një fëmijë nga Qendra për Punë Sociale. Na po e kem shumë më lehtë në rastet kur po fillojnë familja ose rrethi i vet me e ndërtu shtëpinë deri të punimet e vrazhda. Po e kem shumë ma lehtë me gjet donatorë me i kry punët pjesë-pjesë., dikush rrymën, dikush kulmin. Në rastet kur nuk po fillojnë familjet, njerëzit pak po pritojnë”, ka thënë Hyseni për Llapi.info, duke potencuar që si drejtori po ndërmjetësojnë në mes të këtyre familjeve dhe donatorëve që paraqiten për t’i ndihmuar familjet në nevojë./Llapi.info