Kreu i Komunës së Podujevës, Agim Veliu, ka shkelur një vendim të marrë para 4 vjetësh për vendosjen e një monumenti për 3 heronjtë llapjanë: Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu dhe Ilir Konushefci.
Në vend të këtij monumenti, që vetë Veliu e kishte propozuar para këshilltarëve komunalë më 30 janar 2012, Podujeva ka vendosur një skulpturë prej hekuri në formë rrathësh, shkruan sot “Koha Ditore”.
I pyetur se pse nuk ka asnjë përmendore në këtë qytet, Agim Veliu ka thënë se nuk ka pasur një kërkesë të tillë.
“Përmendorja është vendosur aty ku ka qenë kërkesa edhe dëshira e familjes. Ndërsa ne e kemi emërtuar një shesh dhe rruga kryesore e qytetit është emërtuar me emrin e Zahir Pajazitit, po edhe një shesh tjetër të qytetit me emrat e këtyre tre heronjve. Unë nuk kam ndonjë kërkesë të tillë për përmendore, nëse eventualisht ka kërkesa të tilla, organet e Komunës që janë kompetente për këtë çështje, sigurisht do ta shqyrtojnë edhe do ta vendosin”, është shprehur Veliu të hënën, pas një takimi që ka pasur me presidenten Atifete Jahjaga.
Por edhe emërtimi i sheshit për të cilën ka folur kreu i Podujevës, nuk përmban emrat e këtyre heronjve, por quhet “Sheshi i dëshmorëve”, ashtu siç kishte propozuar vetë ai.
Veliu kishte thënë më 30 janar 2012 se pasi janë në javën e shënimit të rënies së heronjve, Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu dhe Edmond Hoxha, ka vendosur që t’i propozojë Kuvendit për miratim emërtimin e “Sheshit të dëshmorëve”, miniparkun e rregulluar në vitin 2011 afër Postës së qytetit.
“Po ashtu kam vendosur që në këtë shesh të vendoset monumenti i Zahir Pajazitit, Hakif Zejnullahut dhe Ilir Konushefcit dhe Drejtoria e Planifikimit Urban dhe Mbrojtjes së Mjedisit duhet të caktojë pozitën e vendosjes së këtij monumenti. Pastaj për dukjen do të vendosim bashkërisht edhe me një ekip personash që merren me këtë punë”, kishte thënë ai.
Në këtë mbledhje të KK-së ish-shefi i Grupit të PDK-së, Kadri Avdiu, kishte kërkuar që në këtë monument për 3 heronjtë llapjanë t’u bashkohet edhe heroi junikas Edmon Hoxha, i cili ishte vrarë më 31 janar 1997 në Pestovë të Vushtrrisë bashkë me Zahir Pajazitin dhe Hakif Zejnullahun… (më shumë, sot në “Kohën Ditore”)