Shkolla e Halabakut në Podujevë nuk i plotëson as kushtet elementare për mësim. Ajo është e ndërtuar nga materiali i ivericës që nga viti 1972.

Në Halabak të Podujevës gjendet paralelja e ndarë e shkollës fillore “Shefki Kuleta” në Tërrnavë. Shkolla është ndërtuar në vitin 1972 vetëm për një periudhë të shkurtër kohore, mirëpo, fshatarët e kanë ruajtur dhe i ka rezistuar kushteve kohore. Aty mësimi në shtator nuk mund të fillojë më, nëse nuk ndërtohet një objekt i ri, ndërsa, numri i nxënësve që mësojnë në këtë shkollë është 75 nxënës nga klasa e parë deri në të pestën.

Idriz Pllana, përgjegjës i kësaj shkolle, tha se kjo shkollë nuk i plotëson kushtet elementare për mësim.

“Kjo shkollë është ndërtuar në vitin 1972, prej një materiali shumë të dobët (ivericë). Era e rëndë nga iverica e lagësht, mungesa e ujit, mungesa e banjove, minjët hin e dalin gjë e cila frikëson nxënësit, mungesa e rrymës tash e 10 vite, janë disa nga gjërat me të cilat ne përballemi çdo ditë”, ka thënë Pllana.

Ai ka treguar se vazhdimisht ka bërë kërkesa në Drejtorinë e Arsimit në Podujevë, mirëpo, deri tani asgjë nuk është ndërmarrë.

“Kemi bërë kërkesa përmes të gjitha mjetve. Premtime kemi marrë, por asgjë nuk është ndërmarrë deri tani. Ne nuk mund të fillojmë mësimin në shtator nëse nuk ndërtohet një objekt i ri”, ka thënë Pllana.

Ai po ashtu ka treguar se këtij objekti është tentuar ti ipet flaka tash e dy herë nga fshatarët e Halabakut.

SAMSUNG CSC
Sipas tij, komuna u ndihmon vetëm me sigurimin e druve për ngrohje, të cilat ka pasur raste edhe kur janë vonuar. Për gjëra të tjera nuk u ka ndihmuar asnjëherë.

Se kërkesa për ndërtimin e shkollës kanë bërë e ka konfirmuar edhe drejtori i shkollës, Hilmi Uka.

“Kërkesa kemi bërë vazhdimisht. Për vitin që shkoi na patën thënë që do ndërtohet objekti i ri. Kjo nuk ndodhi. Pritet që këtë vit të ndërtohet shkolla, pasi që ashtu na kanë thënë tani”, ka thënë Uka.

Ndërsa, Drejtori i Arsimit në Komunën e Podujevës, Nexhmi Rudari, ka thënë se ndërtimi i shkollave nuk është kompentencë e komunës.
“Ndërtimi i shkollave është kompetencë e Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë. Është dashur që ndërtimi i shkollave të kaloj në kompetencë të komunës që nga viti 2009, mirëpo, nuk ka ndodhur”, ka thënë Rudari.

Ai ka shtuar se shkolla e Halabakut nuk mund të ndërtohet për pa u bë rishikimi i buxhetit në qershor. Por, mundësia e parë që do u ipet do e ndërtojnë shkollën e Halabakut.

Nga ana tjetër, Besa Bytyçi, Zyrtare për Informim në Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, tha se ndërtimi i shkollave tashmë ka kaluar në kompentencë të njësive administrative publike.

“Ditë më parë, Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami, ka nënshkruar Memorandumin për bartjen e fondeve dhe projekteve kapitale nga MASHT në Ministrinë e Administratës Publike”, ka thënë Byqyçi.

Neni 2 i këtij Memorandumi thotë se palët nënshkruese të këtij Memorandumi pajtohen për bartjen/transferin e mjeteve nga MASHT në MAP për vitin 2015, si dhe vlerësimet nga buxheti për vitin 2016 dhe 2017. Për vitin 2015 vlera që do të bartet është në shumën 1.520.000.00euro, për vitin 2016 vlera që do të bartet është në shumën 2.670.000.00euro dhe për vitin 2017 vlera që do të bartet është në shumën 2.170.000.00euro, për realizimin e projekteve./llapi.info

1
2
3
4
Foto që pasqyrojnë gjendjen e shkollës në Halabak.

SAMSUNG CSC
SAMSUNG CSC

SAMSUNG CSC

SAMSUNG CSC

SAMSUNG CSC

SAM_3137
SAM_3140