Në mbledhjen e rregullt që është mbajtur dje nga Këshilli Komunal për Siguri në Bashkësi të Komunës (KKSB) së Podujevës  të kryesuar nga Kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu, gjendja e sigurisë në Podujevë është vlerësuar e qetë dhe stabile.

Gjendjen e qetë dhe stabile në Podujevë e ka vlerësuar edhe Komandanti i Stacionit të Policisë në Podujevë, Bekim Bislimi, i cili tha se gjatë vitit 2015 është shënuar trend i rënies së veprave kriminale dhe aktiviteteve që cenojnë rendin, sigurinë dhe pronën private e shoqërore.

Bislimi tha se gjatë vitit 2015 janë raportuar 1091 raste të ndryshme, që është për 472 raste më pak se në vitin 2014.

Për gjendjen e mirë të sigurisë në Podujevë, Bislimi falënderoi qytetarët, si dhe potencoi bashkëpunimin dhe përkrahjen nga Kryetari i Komunës, KFOR-i, FSK-ja, Bashkësia Islame dhe organizatat jo qeveritare

Ai tha se janë bërë edhe përgatitjet e duhura për krijimin e një ambienti të qetë dhe të sigurt për shënimin e 8-vjetorit të pavarësisë së Kosovës.

Lidhur me manifestimet për kremtimin e Ditës së Pavarësisë dhe protestën e paralajmëruar më 17 shkurt, KKSB apelon te qytetarët e komunës së Podujevës që të tregohen të përmbajtur dhe të shmangin protestat e dhunshme, ku mund të rrezikohet jeta e qytetarëve dhe prona publike.

Në takimin e sotëm është shqyrtuar edhe informata për aktivitetet e KKSB-së gjatë vitit 2015 dhe ka shqyrtuar Planin e Punës së KKSB për vitin 2016, të cilat do të procedohen në Kuvend për miratim./Llapi.info