Është shkatërruar përmendorja e dëshmorit llapjan, Ali Ajetit e cila ishte e vendosur në njërën nga arat e fshatit Shtedim të Podujevës, raporton Llapi.info. Guri që është vendosur nga iniciativa e qytetarëve të Shtedimit në qershor të vitit 1989 dhe që shënonte vendin ku Ali Ajeti ra dëshmor, tani është thyer.
Një gjë të tillë, vëllau i Ali Ajetit, Sami Ajeti, nuk e di se kush e ka bërë. Prandaj, nuk ka ngre as padi, pasi sipas tij, ai është informuar tre ose katër muaj me vonesë prej që kur ka ndodhur rasti.
“Unë e kam marrë vesh qe tre ose katër muaj. Ajo ka ndodhur shumë më herët. Policia ka kërkuar nga unë që të ngre një padi nëse dyshoj në dikë. Por, nuk kam mundur të dyshoj në askënd, pasi e kam marr vesh shumë vonë. Për këtë nuk kam ngritur as padi”, ka thënë Sami Ajeti për Llapi.info.
Se kush e ka shkatërruar atë gurë, sipas Ajetit nuk e di as pronari i tokës, Ismeti. Ndërsa, familja Ajeti nuk e ka ndërmend që ta rregulloj atë gurë.
“Unë kam biseduar me pronarin e arës, Ismetin dhe më ka thënë që nuk e ka ditur as ai që e kanë thyer, sepse atëherë kur e kanë marrë lejen prej tij për me qit gurin, Ismeti ka thënë qitne se unë nuk jam duke e punuar atë arë. Ajo ka mbetur qashtu. Ne si familje nuk e kemi ndërmend me e rregullu, sepse edhe po të e rregullojmë prapë do e prishin”, ka shtuar Ajeti, duke thënë se nëse dikush merr iniciativën të e rregulloj gurin, familja Ajeti nuk do e pengojë.
“Me marrë iniciativën dikush, unë nuk e pengoj se s’kam aryse me pengu. Alia më nuk është veç i familjes. Nëse dëshiron dikush me marrë iniciativën me rregullu neve nuk na pengon, veç duhet të konsulltohemi”, ka thënë Ajeti.
Lidhur me këtë rast, Llapi.info javën e kaluar (të hënën) ka kontaktuar edhe me Zëdhënsen e Policisë së Stacionit të Podujevës, Antigona Çitaku- Dibrani, e cila ka thënë se atë ditë është informuar për këtë rast dhe nuk mund të jap asgjë për pa dalur me një raport zyrtar. Raporti është thënë se do të na dërgohet, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur tash e një javë.
“Sot në takim të mëngjesit jemi informuar prej një shefit të një sektori edhe i kam angazhuar një njësi me shku me i bërë disa fotografi, se ankesë prej qytetarëve as prej kërkuj nuk kemi pasur. Sot, i kam dërguar njësit me shiku a është prej erës që ka qenë apo dyshohet prej diçka tjetër. Raport zyrtar nuk kam ende, sepse sot kemi dëgjuar. Në momentin kur të kem një raport zyrtar ta dërgoj ose me shkrim ose ndëgjohemi”, ka thënë Çitaku- Dibrani.
Në vendin ku ka rënë dëshmor Ali Ajeti kanë qenë dy gurë. Një gurë i vogël që është ndërtuar nga Ibrahim Behluli me qytetarë të Shtedimit në qershor të vitit 1989, një muaj pas rënies së Ali Ajetit dhe një gur i madh që e kishte ndërtuar PDK në vitin 2010./Llapi.info