Objekti i pushimores për fëmijët jetimë në Orllan, ndonëse ka nisur të ndërtohet menjëherë pas luftës, vazhdon të mbetet i pashfrytëzuar.

Ndonëse kanë mbetur pak punë për t’u përfunduar i tëri, për komunarët kjo ka qenë e pamundur, derisa për opozitën udhëheqësve të Podujevës u mungojnë idetë.

Shefi i Grupit të këshilltarëve të PDK-së, Rafet Llapashtica, thotë se qeverisja komunale nuk ka bërë asgjë për ta funksionalizuar këtë objekt.

“Objekti i pushimores në Orllan ka filluar menjëherë pas lufte nga UFORK-u me fondin e 3 përqindëshin nga e ashtuquajtura Qeveri e Bukoshit. Në këtë projekt me sa jam i njoftuar ka participuar edhe Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale në kohën e ish-ministri Ahmet Isufi. Pastaj ky objekt ka kaluar në pronësi komune është bërë pranim-dorëzimi i këtij objekti pa përfunduar punët, pa përfunduar raporti financiar”, ka thënë Llapashtica, raporton KTV.

Në anën tjetër, zyrtarët komunalë të Podujevës nuk e dinë sa mjete duhen për ta funksionalizuar këtë pushimore.

Zëdhënësi i Komunës së Podujevës, Nazmi Elezi, tha se janë investuar rreth 800 mijë euro dhe investitori më i madh del të jetë Qeveria me rreth 400 mijë euro, UFORK-u me 230 mijë dhe Komuna e Podujevës me 150 mijë euro.

Komuna kishte menduar të e jap objektin me qira.

“Komuna e Podujevës vitin e kaluar me vendim të Kuvendit Komunal e ka nxjerr në ankand që ta lëshojë me qira objektin në bazë të Ligjit për dhënien në shfrytëzim të pronave komunale, mirëpo për fat të keq në shpalljen e publikuar nuk është paraqitur asnjë ofertues. Kështu që ai objekt me diku prej 1650 metra katrorë vazhdon të mbetet akoma i pashfrytëzuar”, ka thënë Elezi.

Objekti ishte menduar si pushimore për fëmijët, pasi ndër të tjera, posedon lokale, sallë konferencash, pishinë, dhoma gjumi e hapësira të tjera. Ai ka mbetur i mbyllur në mungesë të shtretërve, inventarit të kuzhinës dhe pishinës së papërfunduar.