Plani Zhvillimor Komunal për periudhën 2016-2025 u miratua sot në mbledhjen e Kuvendit Komunal të Podujevës, njofton Zyra për Informin e Komunës së Podujevës, përcjell Llapi.info.
Drejtori i Drejtorisë së Planifikimit Urban dhe Mbrojtjes së Mjedisit, Durim Salihu, duke prezantuar Planin Zhvillimor Komunal për periudhën 2016 – 2025 (PZHK), tha se ky dokument paraqet një bazë të mirë për zhvillimin komunal.
Ndërsa, Tomor Qela, përfaqësuesi i Kompanisë “Data- GIS”, hartuese e këtij plani pranoi se dokumenti mund të ketë mangësi por tha se të gjitha të dhënat e përfshira në dokument janë të bazuara në të dhëna institucionale.
Këshilltarët Komunal të PDK-së dhe të VV-së lëshuan sot seancën pasi që e shihnin të magët këtë plan dhe e kundërshtonin miratimin e tij.
Përveç miratimit të këtij plani në mbledhjen e sotme, Kuvendi miratoi edhe vendimin për vënie në diskutim publik të Rregullores për mbrojtjen e të miturve nga dukuritë që dëmtojnë shëndetin dhe zhvillimin e tyre.
Kjo rregullore vihet në diskutim publik në kohëzgjatje 30 ditë, ndërsa debati me qytetarë të mbahet më 23 mars 2016 në orën 11:00 në sallën e mbledhjeve të Kuvendit të Komunës.
Përpos këtyre ligjeve në seancën e sotme Kuvendi miratoi edhe këto plane:
Planin e veprimit për transparencë në Komunën e Podujevës për vitin 2016.
Planin e punës të Komitetit për Komunitete për vitin 2016.
Kuvendi miratoi edhe vendimin për bartjen e të hyrave vetanake të komunës së Podujevës nga viti 2015 në vitin 2016 dhe destinimin në kategori të caktuara buxhetore.