Viti 2015 u cilësua si vit i suksesshëm sa i përketë punës së Stacionit Policor, kjo u bë e ditur sot në prezantimin e Raportit Vjetor të Stacionit Policor të Podujevës për vitin 2015, raporton Llapi.info.
Krahasuar me periudhën e njejtë të vitit 2014, në vitin 2015 janë arritur suksese në masë të kënaqëshme, është zvogëluar numri i aksidenteve, i veprave penale si dhe i rasteve të inicuara.
Sipas Komandantit të këtij stacioni, Bekim Bislimit, Stacioni Policor i Podujevës ka arritur sukses në shkallë të dëshirueshme në përmbushjen e objektivave të parashtruara në parandalimin dhe luftën kundër krimit, ngritjen e nivelit të besimit tek qytetarët, respektimin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, forcimin e bashkpunimit me institucionet e tjera të sigurisë, si dhe institucionet tjera relevante.
“Numri i rasteve të inicuara në total në vitin 2015 është 509 raste më pak me periudhën e njejtë të vitit 2014 që ishte përkatësisht 1609 raste kurse në vitin 2015 kemi gjithësej 1096 që i bie përafërsisht 31.63% raste në total më pak. Kur jemi tek veprat penale kemi rënie në 34%, ndërsa në aksidente në trafik kemi rënie në 21%.” tha ndër të tjera Bislimi.
Të suksesshme punën e policisë e cilësoi edhe nënkryetari i Komunës së Podujevës, Nexhmi Rudari i cili i përgëzoi Policinë për përmirësimin e dukshëm të situatës dhe gjendjes së sigurisë në rajonin e Podujevës. Rudari theksoi se Komuna e Podujevës do të vazhdojë t’a mbështes punën e Stacionit Policor të Podujevës.
“Siguroj se do t’a keni mbështetjen e plotë të Kuvendit të Komunës, të Komunës, dhe të Kryetarit për të gjitha nevojat dhe kërkesat që lidhen me përgjegjësitë e Komunës”,shtoi Rudari.
Përpos këtyre, edhe Majori Isak Ejupi nga Drejtoria Rajonale e Policisë së Prishtinës duke i përgëzuar policët për punën e tyre tha se rezultatet e këtij stacioni janë me të vërtet kulminante.
Stacioni Policor i Podujevës ndau mirënjohje për policët e dalluar gjatë viti 2015, dhe gjithashtu ndau edhe letër falenderimi për ata që bashkëpunuan me policinë si dhe për ato media të cilat raportuan me korrektësi në informinin e qytetarëve në raport me situatën e sigurisë në Komunën e Podujevës.
Një Letër e tillë falenderimi iu dha edhe portalit Llapi.info./Llapi.info