Deputeti i LDK-së, Shpejtim Bulliqi, nuk ka pranuar të flas për takimin e shtunës së kaluar në mes aktivistëve të LDK-së dhe ish-kryetarit të kësaj partie, Fatmir Sejdiu.

Bulliqi, që ishte kundër votimit të Hashim Thaçit për president, ka insistuar se ka qenë takim shoqëror, duke mos dhënë asnjë detaj.

Ndërsa ish-deputeti i legjislaturës së kaluar nga LDK-ja, Bahri Thaçi, që ishte në takim tha se është diskutuar për disa çështje, pa specifikuar ndonjë temë të caktuar.

“Nuk ka pasur ndonjë temë të caktuar. Biseduam për çështje të përgjithshme, për telashe. Ka qenë një takim shoqëror”, ka thënë Thaçi për Indeksonline të hënën pas dite.

Mirëpo një nga pjesëmarrësit në takim që nuk ka dashur të flas me emër ka treguar ngjarjen komplet se për çka është biseduar.

Ai ka thënë se në takim është ardhur në përfundim që Isa Mustafa është figurë jo adekuate për zhvillimet e fundit politike dhe përgjegjësi kryesor për gjendjen e keqe në LDK.

“Një numër i madh i veprimtarëve të LDK-së që janë në strukturat udhëheqëse qendrore dhe lokale janë takuar në një ndeje konsultative për të vlerësuar gjendjen e përgjithshme politike, me theks të veçantë karshi sjelljeve së LDK-së në këto situata të rënda për Kosovën. Ishte një qëndrim dhe pajtueshmëri e të gjithë pjesëmarrësve të aktivistëve të LDK-së në krye me presidentin Sejdiu, që vërtet gjendja është jashtëzakonisht e rëndë dhe karshi kësaj LDK-ja nuk po e kryen detyrën e vet që e ka të përcaktuar me filozofin e presidentit historik, Ibrahim Rugova. Erdhëm në përfundim se zoti Mustafa është një figurë jo adekuate për këto zhvillime politike shumë të rëndësishme për LDK-në. Zoti Mustafa është njëri nga përgjegjësit kryesor që LDK-ja gjendet një situatë të pafavorshme karshi qeverisjes dhe rrjedhave të rënda politike në vend”, ka thënë njëri ndër pjesëmarrësit në takim për Indeksonline.

Sipas tij, vlerësimi i përgjithshëm ishte se Mustafa duhet të jap dorëheqje dhe të bëhet reformimi i partisë duke thirrur kuvend të ri zgjedhor.

“Ishte një vlerësim i përgjithshëm që zoti Mustafa duhet të jap dorëheqje dhe të pranoj reformimin e partisë si dhe të thërras kuvendin e jashtëzakonshëm të partisë ku do të merren veprime vërtet të mëdha për LDK-në. Presidenti Sejdiu shprehu një gatishmëri të madhe që të vihet në ballë të reformimit të partisë dhe të jap kontributin e vet si një figurë e madhe politike dhe e LDK-së”.

Ndryshe sot Shpejtim Bulliqi ka pasur një takim me ish-kryetarin e LDK-së, Fatmir Sejdiun, në qytetin e Podujevës. Në takim ishin edhe aktivistë të tjerë të LDK-së dhe ish deputeti Bahri Thaçi.