Me rastin e shënimit të Ditës Botërore të Tuberkulozit, në Podujevë janë organizuar aktivitete sensibilizuese dhe informuese për parandalimin e kësaj sëmundjeje, njofton Zyra për Marrëdhënie me Publikun dhe Informim e Komunës së Podujevës, përcjell Llapi.info.
Në kuadër të aktiviteteve për shënimin e Ditës Botërore të Tuberkulozit, Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare (QKMF) në Podujevë sot ka organizuar aktivitete informative dhe sensibilizuese në tri shkolla të Podujevës dhe Qendrat e Mjekësisë Familjare.
Në aktivitetin e organizuar nga drejtori i QKMF, dr. Afrim Shabani dhe koordinatori i QKMF për ZHVP dhe promovim shëndeti, dr.Shaip Aliu, në shkollat fillore “Shaban Shala”, “Naim Frashëri” dhe Gjimnazin “Aleksandër Xhuvani” në Podujevë, ora e parë mësimore i është kushtuar informimit dhe vetëdijësimit për sëmundjen e tuberkulozit.
Me qëllim të sensibilizimit dhe informimit për rrezikun, mënyrën e përhapjes dhe parandalimin e kësaj sëmundjeje, dr. Ibrahim Hoti me një grup studentësh të infermierisë, iu kanë shpërndarë qytetarëve material sensibilizues (fletëpalosje) në sheshin e Podujevës. Janë vendosur posterë sensibilizues në Qendrat e Mjekësisë Familjare në Lluzhan, Kërpimeh dhe Orllan.