Është marrë aktgjykimi i parë në Serbi për dëmshpërblim për shkak të përgjegjësisë së shtetit të Serbisë për krimet në Kosovë. Në një komunikatë të Gjykata e Parë e Beogradit rikujton se më 28 mars të vitit 1999 pjesëtarët e njësisë së “Skorpionëve” vranë Podujevë 14 anëtarë të familjes Bogujevci e Duriqi, transmeton Koha.net.
Gjykata me aktvendimin e saj detyron shtetin e Serbisë të paguajë 210.826 euro kompensim dëmesh për 14 gra e fëmijëve të vrarë në mars të vitit 1999 para shtëpive të tyre në Podujevë. Ata u vranë nga pjesëtarët e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë “Skorpioni”. Njoftimin e ka bërë publik përfaqësuesi juridik i Fondit për të Drejtën Humanitare të Beogradit.
Sipas FDH-së ky është aktgjykimi i parë në Serbi me të cilin shteti i Serbisë detyrohet të kompensojë për krime lufte të bëra ndaj civilëve shqiptarë gjatë luftës në Kosovë.
Mirëpo, FDH nuk është e kënaqur me shumën e paraparë për kompensim dhe thekson se është më pak se gjysma e shumës së kërkuar përmes padisë ndaj shtetit dhe se është në shpërputhje të theksuar me vendimet e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut, që ka të bëjë me mbrojtjen e të drejtës për jetë.
Për këtë arsye FDH ka parashtruar ankesë në Gjykatën e Apelit të Beogradit, me të cilën kërkon miratimin e shumës së kërkuar.
Në komunikatën e FDH theksohet se përgjegjësia e shtetit mbështetet në nenin 172 të Ligjit për marrë-dhëniet obligative, sipas të cilit shteti është përgjegjës për dëmet që “organet e tij i shkaktojnë personit të tretë gjatë kryerjes ose në lidhje me kryerjen e funksioneve të saj”.
Po ashtu FDH rikujton se në oborrin e Gashëve në Podujevë pjesëtarët e njësisë së “Skorpionëve” vranë me pushkë automatike gra e fëmijë.
U vranë: Sala Bogujevci (39) dhe djemtë e saj Shpendi (13) e Shpëtimi (10); Shefkate Bogujevci (43) dhe e bija e saj Nora (15) si dhe vjehrra e saj Shehidja (67), po ashtu kushërira e saj Nefise Llugaliu (55) me të kunatën Fezdrijen (21); Fitnete Duriq (36) dhe katër fëmijët e saj – Dafina (9), Arbër (7), Mimoza (4) dhe Albina (2), si dhe e vjehrra e saj Isma (69).
Po ashtu qenë vrarë edhe Hamdi Duriqi dhe Selman Gashi, të cilët komunikata e FDH nuk i përmend.
Pushkatimin e mbijetuan me plagë të rënda pesë fëmijë – Saranda, Fatosi, Jehona, Liria dhe Genc Bogujevci.
Për këtë krim më 2010 morën dënime të plotfuqishme Dragan Borojeviq, Miodrag Shollaja dhe Dragan Mediq, ndërsa Zhelko Gjukiq u dënua pas procesit të përsëritur më 2011.
Para këtyre, për këtë krim ishte dënuar edhe Sasha Cvjetan./Koha.net