Kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu, priti sot në një takim Ujup Rashicën –kryetar i Shoqatës Ndërkomunale të Personave të Verbër dhe me të Pamë të Dobësuar të Kosovës, njofton Zyra për Marrëdhënie me Publikun dhe Informim e Komunës së Podujevës, përcjell Llapi.info.

Në këtë takim u bisedua për bashkëpunimin e deritanishëm të Komunës së Podujevës me Shoqatën Ndërkomunale të Personave të Verbër dhe me të Pamë të Dobësuar të Kosovës, me ç’rast kryetari Veliu shprehu gatishmërinë për bashkëpunim dhe përkrahje të mëtejme të kësaj shoqate.

Veliu vlerësoi punën e shoqatës në identifikimin e personave të verbër dhe me të pamë të dobësuar, si dhe përkrahjen e tyre në edukim dhe shkollim.

Ndërsa, kryetari i Shoqatës, Rashica, tha se Komuna e Podujevës është shembull i bashkëpunimit edhe për komunat e tjera, në rajonin që mbulon Shoqata Ndërkomunale e Personave të Verbër dhe me të Pamë të Dobësuar të Kosovës.

Rashica ke falënderuar kryetarin Veliu për përkrahjen e vazhdueshme, duke thënë se falë kësaj përkrahjeje është arritur që në trevën e Llapit të identifikojnë 87 persona të verbër dhe me të pamë të dobësuar.

“Falë bashkëpunimit dhe përkrahjes që gëzojmë nga kryetari Veliu, ne po bëjmë një punë shumë efikase në teren në identifikimin e rasteve të reja dhe në ofrimin e mundësive për edukim dhe shkollim të personave të verbër dhe të pamë të dobësuar.”- tha Rashica.

Në shenjë falënderimi për bashkëpunimi, përkrahjen dhe kontributin e dhënë për këtë shoqatë, kryetari Ujup Rashica i ka dhuruar Kryetarit Veliu mirënjohje nga Shoqata Ndërkomunale e Personave të Verbër dhe me të Pamë të Dobësuar të Kosovës./Llapi.info