I nominuari i vetëm për Kryetar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Kadri Veseli, sot u takua me strukturat dhe simpatizantët e PDK-së në komunën e Podujevës, njofton Llapi.info.
Para të pranishmëve Veseli foli për dëshmorët nga ana e Llapit që kanë rënë për lirinë e vendit, duke thënë se këta duhet të përkujtohen çdo herë që rinia t’a dijë për sakrificat që janë bërë për të ardhur deri këtu.
Përpos kësaj, Veseli tha se PDK-së i mungojnë deputetët, Rustem Mustafa dhe Latif Gashi, të cilët tani janë në burg si dhe tha se në Llap PDK-ja ka nevojë për përkrahje edhe më të madhe.
“Na kemi nevojë, Partia Demokratike e Kosovës në Llap ka nevojë me pas përkrahje edhe ma të madhe. Sot në Llap edhe unë vi pa një krah, në të njejtë kohë edhe Llapi është i hendikepum për arsye se dy nga deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës janë të detyruar të mbajnë një burg i cili nuk ka kurfarë kuptimi.”- tha ndër të tjera Veseli para simpatizuesëve të PDK-së në Podujevë.
Në këtë takim para të pranishëmve foli edhe zëvendës- ministry i infrastrukturës Fehmi Mujota i cili tha se të gjitha strukturat e PDK-së do ta mbështetin kandidimin e Veselit për Kryetar të PDK-së.
“Kryetari i ri që do të merr drejtimin e Partisë Demokratike të Kosovë, ju ndihuni të sigurt se të gjitha objektivat tuaja, të qytetarëve tanë të Republikës së Kosovës do të jenë të realizuara me lidership të fortë, të fuqishëm të guximshëm dhe të pranuar anë e kënd botës e mbi të gjitha me ata me të cilët e bëmë luftën, me ata me të cilët e bënë shtetin, me ata me të cilët po e ndërtojmë shtetin me ata do të bëjmë edhe zhvillimin e vendit, e në krye të këtij zhvillimi do të jenë Kadri Veseli dhe Hashim Thaçi.”- shtoi Mujota.
Gjithashtu, edhe Muhamet Latifi, Kryetari i Degës së PDK-së në Podujevë pasi që falenderoi të pranishmit tha se vizita e kryetarit të ardhshëm të PDK-së i bënë nderë degës së kësaj partie në Podujevë, si dhe bëri të ditur se kjo degë e mbështet kandidaturën e tij për kryetar të partisë.
“I nderuari kryetar, z.Kadri Veseli, nga Partia Demokratike- Dega në Besianë keni mbështetjen e fuqishme për të parin e Partisë Demokratike të Kosovës duke qenë të sigurt në lidershipin tuaj prej më të miri, në përvojën tuaj politike dhe profesionale, në përgaditjen tuaj profesionale, në korpusin e angazhimeve tuaja prej dekadash për shtetin e Kosovës çdoherë sukseshëm.”- tha ndër të tjera Latifi.
Të pranishëm në këtë takim ishin edhe Zëvendësin e Shefit të Grupit Parlamentar të PDK-së Elmi Reçica, Deputeti i PDK-së Naim Fetahu, Kryetari i Bashkësisë Islame në Podujevë Bekim Jashari, Kryetari i Këshilli të Bashkësisë Islame, Idriz Bilalli, familjarë të dëshmorëve, si dhe simptizantë të PDK-së në Podujevë./Llapi.info