Zyrtarët komunal të Podujevës për tre mujorin e parë të vitit 2016 kanë shpenzuar 4.800 euro për telefon, ndërsa shuma e investimeve kapitale për tre muaj kap vlerën e 47.263 euro. Kjo u bë e ditur gjatë prezantimit të Raportit Financiar për periudhën janar- mars 2016, njofton Llapi.info.

Drejtori i Drejtorisë së Financave, Isuf Latifi, gjatë prezantimit të raportit financiar tha se krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak ka një rritje të shpenzimeve prej 8.68 %.

“Shpenzimet e buxhetit për këtë periudhë kanë arritur shumë prej 3.318.646 euro. Për paga dhe mëditje 2.883.247 euro, mallra dhe shërbime 257.855 euro, shpenzime komunale 99.746 euro, subvencione 30.535 euro, investime kapitale 47.263 euro ose 18% e buxhetit të planifikuar vjetor”, ka thënë Latifi.

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Rafet Llapashtica, tha se shpenzimet për telefon për tre muaj janë shumë në krahasim me mungesën e investimeve.

“Për tre muaj kanë munguar investimet kapitale. Vetëm 47.263 euro janë investime kapitale. Ndërsa, shpenzimet për telefon janë 4.800 për tre muaj. Kjo i bie që zyrtarët komunal kanë qëndruar tri orë pa ndal duke folur në telefon”, ka thënë Llapashtica.

Poashtu, ai ka thënë se pagesat prej 930 euro për shërbime intelektuale këshillëdhënëse janë të panevojshme.

Se shuma e investimeve kapitale është e vogël e ka thënë edhe Shefi i Grupti Parlametar i LVV-së, Haki Rudari. Ai tha se shuma e investimeve kapitale prej 47.263 euro nuk është një shumë për t’u mburrur me një buxhet prej pesë million eurosh.

“Te të hyrat vetanake kemi rritje 20.90% nga punëtorët me kontratë. Në vend që të kemi zvoglim sepse këtë vërejtje na e ka dhënë edhe Auditori i Përgjithshëm. Punëtorët me kontratë janë lojë e komunës”, ka thënë Rudari.

Ndërsa, Drejtori i Drejtorisë së Shërbimeve Publike, Faik Muçiqi, ka thënë se shuma e investimeve kapitale është e vogël për shkak se edhe borxhi ka qenë i vogël. Ai ka shtuar se mbi 70% të projekteve ose janë duke u punuar ose janë në fazën e prokurorimit.

Raportin Financiar për periudhën janar- mars 2016 e kanë mbështetur këshilltarët e LDK-së.

Raporti Financiar për periudhën janar- mars 2016 është miratuar me 18 vota për, 13 kundër dhe një abstenim.

Llapi.info u sjell momentin kur Drejtori i Drejtorisë së Financave, Isuf Latifi, prezanton Raportin Financiar për periudhën janar- mars 2016./Llapi.info

https://www.youtube.com/watch?v=Xxy1bn0pPak&feature=youtu.be