Nxënësit e tri shkollave të mesme të Komunës së Podujevës, të cilët kishin planifikuar që sot të realizonin një ekskursion nëpër Kosovë, nuk kanë arritur të nisen me autobusë nga stacioni i autobusëve të Podujevës.
Kjo pasi që nxënësit e shkollave të mesme “Isa Boletini”, “Aleksandër Xhuvani” dhe “Fan S.Noli”, nuk kanë kërkuar leje nga Drejtoria e Arsimit të Komunës së Podujevës, raporton Indeksonline, përcjell Llapi.info.
Këtë e ka konfirmuar për Indeksonline edhe komandanti i stacionit të Policisë në qytetin e Podujevës, Bekim Bislimi.
“Policia me kërkesën e Drejtorisë Komunale të Arsimit në Podujevë, ka marrë aksion për të ndaluar nisjen e nxënësve për ekskursion në Kosovë, pasi që ata janë nisur me vet iniciativë dhe pa lejen e shkollave përkatëse”, ka thënë Bislimi.
Njëri nga nxënësit ka thënë për Indeksonline se nxënësit e tri shkollave janë mbledhur në parkingun e Pallatit të Rinisë, nga ku po tentojnë të nisen për ekskursion.
“Jemi në parking ku nga 90 nxënës po hipin në një autobus. Ne nuk kemi kërkuar leje për ekskursion. E autobusët po ashtu po ndalohen nga inspektorët sepse nuk kanë licenca. Për këtë shkak, nxënësit e Podujevë janë detyruar që të vijnë në Prishtinë në forma të ndryshme, me taksi apo autobus tjerë dhe të nisemi nga këtu”, ka thënë ai. /Indeksonline/