Në afërsi të hotel “Besiana”, në anën e djathtë të rrugës që e ndan Shkollën Fillore “Xheladin Rekaliu” me një sipërfaqe prej 2 hektarësh është lokacioni ku do të ndërtohet objekti i Palestrës së Sporteve në Podujevë, njofton Llapi.info.
Drejtori i Drejtorisë së Planifikimit Urban dhe Mbrojtjes së Mjedisit, Durim Salihu, në mbledhjen e fundit të Kuvendit Komunal ka bërë të ditur se Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka ndarë mjetet për ndërtimin e kësaj palestre me kushtin që të ndërrohet lokacioni i ndërtimit.
“Ministria i ka ndarë mjetet, por ka kërkuar që të ndërrohet lokacioni. Lokacioni është afër hotel “Besiana”, rruga që e ndan Shkollën Fillore “Xheladin Rekaliu”, ana e djathtë, sipërfaqja prej 2 hektarësh. Me planin zhvillimor urban që është miratuar në Kuvend është paraparë që ajo hapësirë i plotëson kushtet për një palestër sportive”, ka thënë Salihu, përcjell Llapi.info.
Lidhur me caktimin e këtij lokacioni ka pasur reagime nga ana e këshilltarëve të Vetëvendosjes.
Adelinë Stublla, këshilltare e LVV-së, ka kërkuar nga drejtorët që kjo pikë e rendit të ditës të diskutohet me qytetarë, pasi siç ka thënë ajo në këtë pjesë është paraparë ndërtimi i Stacionit të Autobusëve.
“Është mirë që kjo pikë të diskutohet me qytetarë sepse është një investim afatgjatë dhe kjo parcel është paraparë për Stacion të Autobusëve”, ka thënë Stublla duke përmendur çështjen se komuna ka prona të fshehura.
Edhe këshilltari tjetër i Vetëvendosjes, Bahri Selimi, ka thënë se kjo pronë është një lloj konteksti mes komunës dhe AKP-së.
“Kjo pronë mesa e di unë është një lloj konteksti mes komunës dhe AKP-së. Aty është duke u ndërtuar një fabrikë prodhuese dhe a do të ketë ndonjë kontekst në të ardhmen që neve do të na e hup investimin për palestrën sportive”, ka thënë Selimi.
Përgjigje për dy këshilltarët e Vetëvendosjes ka pasur drejtori i Drejtorisë për Pronë, Kadastër dhe Gjeodezi, Abaz Llugaliu.
“Nuk kemi pronë të komunës të fshehtë. Nëse ti e ke një atëherë dil në foltore dhe fol”, i është kundërpërgjigjur Llugaliu Adelinë Stubllës.
“Nuk ka kurrfarë konteksti, është pronë komunale”, ka thënë Llugaliu.
Kurse, Shefi i këshilltarëve të LDK-së, Fidan Rekaliu, ka thënë se kuvendi duhet të përkrahë investimet që janë në të mirë të komunës.
“Ne duhet të i përkrahim të gjitha investimet që janë në të mirë të komunës. Ne e përkrahim këtë investim”, ka thënë Rekaliu.
Me dy vota kundër është miratuar vendimi për caktimin e lokacionit për ndërtimin e objektit të Palestrës së Sporteve në Podujevë./Llapi.info