Ministri i Diasporës, Valon Murati, në 18 vjetorin e rënies së Heroi të Kosovës Agron Rrahmani përmes një postimi në Facebook tha se ai ishte një prej shtyllave të organizimit të luftës çlirimtare, transmeton Llapi.info.
Ky është postimi i plotë i Muratit në Facebook:
“Sot tetëmbëdhjetë vjet ra dëshmor, Heroi i Kosovës Agron Rrahmani, një prej shtyllave të organizimit të luftës çlirimtare, komandanti i të parës njësi guerile të LKÇK-së “Rexhep Mala” dhe njeriu i cili ndonëse me karakter ushtaraku, e kuptoi drejt se lufta çlirimtare, si domosdoshmëri e kohës, mbi të gjitha është një përpjekje politike. Andaj edhe ishte në ballë të përgatitjes politike dhe organizative të popullit shqiptar për organizimin e luftës së armatosur çlirimtare. Ra herët në fillet e luftës çlirimtare, duke lënë një boshllëk të madh në fazat e mëvonshme të luftës. Guerilja e Prishtinës “BIA”, e përbërë nga shkronjat e para të dëshmorëve Bahri Fazliu, Ilir Konushevci dhe Agron Rrahmani, me krenari gjatë luftës e ka vazhduar punën dhe rrugën e shtruar nga komandant Agroni. Sot, ne, falë përpjekjeve të popullit tonë, luftës sonë çlirimtare dhe dëshmorëve jetojmë në një Kosovë më të mirë sesa dje, por ende larg idealeve të dëshmorëve, andaj të gjithë kemi obligim të punojmë që Kosovën ta bëjmë atë vend të cilin e kanë dëshiruar dëshmorët.”