Kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu, ka pritur sot në një takim drejtorin rajonal të OSBE-së, Paolo Raffone, me të cilin bisedoi për bashkëpunimin në mes dy institucioneve.

Gjatë takimit Veliu dhe drejtori i Qendrës Rajonale të OSBE-së në Mitrovicë, Paolo Raffone, e vlerësuan të suksesshëm bashkëpunimin e deritashëm dhe u zotuan për thellimin e këtij bashkëpunimi në të ardhmen, njofton Zyra për Informim e Komunës së Podujevës, përcjell Llapi.info.

Veliu vlerësoi kontributin dhe përkrahjen e OSBE-së në realizimin e projekteve të ndryshme me interes për administratën komunale dhe për qytetarët e Komunës së Podujevës.

“Vlerësoj bashkëpunimin e deritashëm me OSBE-në në projekte të ndryshme, veçmas në përkrahjen për organizimin e debateve në teren, por edhe në projekte të tjera në hartimin e strategjive të ndryshme”, ka thënë Veliu.

Ndërsa, drejtori rajonal i OSBE-së, Paolo Raffone, tha se Komuna e Podujevës mund të shërbejë si shembull edhe për komunat e tjera për bashkëpunim korrekt me OSBE-në, transparencë dhe funksionim efikas të administratës.

Gjatë takimit, Raffone potencoi edhe idenë e krijimit të rrjetit të tetë komunave në kuadër të Qendrës Rajonale të OSBE-së në Mitrovicë, ku bën pjesë edhe Komuna e Podujevës.

“Ky rrjet i tetë komunave do të ishte një mundësi e mirë për bashkëpunim ndërkomunal dhe shkëmbim të përvojave në qeverisje”, ka thënë Raffone, duke potencuar se ky bashkëpunim do të realizohej në fusha të ndryshme.

Kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu ka përkrahur një iniciativë të tillë duke thënë se ky bashkëpunim do të realizohej në kuadër të kornizës ligjore me interes për përmirësimin e jetës së qytetarëve.

Gjatë takimit u bisedua edhe fushat e tjera të bashkëpunimit në mes Komunës së Podujevës dhe OSBE-së./Llapi.info