Me 19 vota për, 3 kundër dhe 10 apstenime është miratuar Rishikimi i buxhetit për vitin 2016, raporton Llapi.info. Rishikimi i buxhetit është miratuar në mbledhjen e jashtëzakonshme që Kuvendi Komunal ka mbajtur sot.

Drejtori i Drejtorisë për Buxhet dhe Financa, Isuf Latifi, tha se Rishkimi i buxhetit bëhet në bazë të Ligjit për menaxhimin e Financave publike dhe se ky rishikim ofron mundësi për transfer të mjeteve ndërmjet programeve, nënprogrameve dhe organizatave buxhetore.

“Totali i mjeteve që propozohen në këtë rishikim është 957,004 euro, ose 19% e buxhetit për investime kapitale. Në drejtorinë e Drejtorisë së Planifikimit Urban dhe Mbrojtjes së Mjedisit 547.139 euro, Drejtoria e Shërbimeve Publike, Mbrojtjes dhe Shpëtimit 102.420 euro, drejtoria e Arsimit 230.963 euro dhe Drejtoria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit 76.482 euro”, ka thënë Latifi.

Ndërsa, drejtori i Drejtorisë së Shërbimeve Publike, Mbrojtjes dhe Shpëtimit, Faik Muçiqi, tha se në Rishikim të buxhetit nuk ka projekte të reja, por as ndryshim në projekte.

Shefi i Grupit të kështilltarëve të LDK-së, Fidan Rrekaliu e ka përkrahur Rishikimin e buxhetit, derisa opozita ka pasur kritika për të.

Kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu, ka arsyetuar shumën e mjeteve të parapara që do të shkojnë në rishikim të buxhetit me faktin se pas miratimi të Buxhetit për vitin 2016, Komuna ka nënshkruar disa marrëveshje me ministri të ndryshme të Qeverisë së Kosovës, e ku kanë hyrë disa projekte që do të realizohen dhe që ndikojnë në programin e investimeve.

“Ju ftoj që ta votoni këtë rishikim të buxhetit, i cili kryekëput është në interes të qytetarëve”, tha kryetari Veliu./Llapi.info