Janë shumë afër qytetit të Podujevës, por jetojnë ende në lloç. Banorët e rrugës përskaj “Lagjes së dëshmorëve”, që lidhet me rrugën rajonale që të çon për në fshatin Shajkofc, ankohen se kështu kanë mbetur që prej pasluftës, shkruan sot Koha Ditore.

Edhe pse vetë e kanë paguar hartimin e projektit, Komuna e Podujevës ende nuk ua ka asfaltuar këtë rrugë që nuk është as 1 kilometër e gjatë. Shefqet Bllaca ankohet se për shkak të mosasfaltimit të kësaj rruge dyqani i mbushet çdo ditë me lloç nga myshterinjtë. Edhe pse thotë se komunarët u kanë premtuar se do ta asfaltojnë tash në qershor, ai dyshon se këtë do të bëjnë para vjeshtës.

“Qe një vit e kemi paguar projektin, dikush i ka dhanë 50 euro dikush 100, gjithsej na ka kushtua 850 euro, po hala nuk e kanë asfaltua. Vjet na thanë tash u ba vonë, veç e asfaltojmë në vitin tjetër (për sivjet). Tash po thonë në qershor, por deri në vjeshtë nuk besoj që ia nisin”, ka thënë Shefqet Bllaca, shkruan sot më gjerësisht Koha Ditore.