Policia rajonale e Prishtincs me anë të një komunikate ka njoftuar për një operacion bastisje në Podujevë. Armë dhe municion janë konfiskuar në Podujevë.
Ky është njoftimi i plotë i Policisë rajonale të Prishtinës:
Pas një analize të hollësishme të situatës kriminale në rajon, duke u mbështetur në shqetësimet e fundit në lidhje me rastet e armëmbajtjes pa leje, strukturat operative rajonale bashkërisht me ato të hetuesisë kanë identifikuar format, metodat dhe mënyrat e zhvillimit të këtyre aktiviteteve kriminale dhe kanë marrë masat e duhura operative e hetimore për parandalimin, zbulimin dhe goditjen e të gjitha formave të këtyre veprave. Një kontribut të veçantë në këto operacione kanë dhënë edhe qytetarët të cilët kanë bashkëpunuar ngushtë me njësitet policore.
Operacioni i fundit i bastisjes është zhvilluar me datën 29.05.2016, nga njësitet policore të stacionit të Podujevës në rrugën “Llapi” në Podujevë, ku policia ka gjetur dhe konfiskuar:
- një pushkë të gjuetisë
- një pistoletë e tipit Ekol
- një pistoletë e tipit TT
- një granatë dore
- tre karikatorë si dhe
- 115 fishek të llojeve dhe kalibrave të ndryshëm.
Pas bastisjes, në stacionin policor të Podujevës është iniciuar rast për mbajtje në pronësi, kontroll, posedim i pa autorizuar i armës, i cili është duke u trajtuar nga ana e hetuesve, sipas autorizimeve policore gjegjësisht, rekomandimeve nga Prokuroria përkatëse. Për këtë vepër është arrestuar një person, të cilit i është shqiptuar masa e ndalimit për 48 orë.