Kryetari i Drenasit, Nexhat Demaku, ka reaguar lidhur me fabrikën që po hapet në Podujevë nga investitorët gjerman ku edhe është hapur konkursi për punësimin e 650 persona. Sipas Demakut ky projekt ishte paraparë që të realizohej në komunën e Drenasit.

Këto reagime Demaku i ka bërë në një intervistë në Klan Kosova ku ndër të tjera tha se ishte ai që ra në kontakt me kompaninë gjermane që po investon në këtë fabrikë, transmeton Llapi.info.

“Nuk na pengon që një projekt i tillë po realizohet në Podujevë, për shkak se kudo që ndodhin investime të tilla në Kosovë janë të mirëseardhura. Mirëpo, për projektin në fjalë kontaktet e para i ka pasur Drenasi. Vitin e kaluar i kisha në takim investitorët. Më pas me ta përmes nesh ka rënë në kontakt Ministria e Tregtisë dhe Industrisë e cila është edhe më përgjegjëse në këtë drejtim për vetë faktin se ne kemi kërkuar përkrahje nga qeveria për këtë projekt”- është shprehur Demaku.

Përpos këtyre diskutimeve, i pari i Drenasit thotë se ai ka zhvilluar takime me invesitorët ku kanë diskutuar për shumën e investimeve, për caktimin e lokacionit që parashihej të ishte pjesë e Parkut të Biznesit në Drenas dhe se gjithcka ishte pothuajse gati. Gjithashtu ai tregon se ka pasur mbështeje edhe nga Kryeministri Mustafa për këtë projekt.

“Takimet që i kemi pasur me investitorët, kanë pasur të bëjnë me diskutimet për caktimin e lokacionit shumën e investimeve dhe gjithçka ishte pothuajse gati. Projekti ka pasur të realizohet në një sipërfaqe prej 15 hektarëve. Ishte një projekt nga ku mund të përfitonin edhe komunat e tjera. Nuk e kuptoj pse është neglizhuar Drenasi”, tha Demaku.

I pyetur nga gazetarja nëse ai mendon se kjo mund të ketë parapavijë politike, pasi që Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, dhe Kryetari i Komunës së Podujevës, Agmin Veliu, vinë nga LDK-ja, Kryetari i Drenasit Nexhat Demaku që vjen nga radhët e PDK-së nuk mendon se kjo mund të ketë prapavijë politike.

“Nuk kisha dashtë me besu se kjo mund të ndodhë me prapavijë politike për këtë arsye se na e dimë që Kryeministri është kryetar i LDK-së por është Kryeministër i Qeverisë, është Kryeministër i të gjithëve dhe ka përgjegjesi të njejtë ndaj të gjitha komunave.”- shtoi ndër të tjera Demaku.

Demaku e sheh shqetësuese dhe e cilëson si të padrejtë që një investim i tillë të zhvendoset pa arsye nga një komunë në një komunë tjetër duke theksuar faktin se Qeveria prej tij ishte informuar për këtë invesitorë./Llapi.info