Në QKUK ka ndërruar jetë S.L. 64-vjeçar, njëri nga të plagosurit e mbrëndshëm në fshatin Sllatinë të Podujevës, ku për shkak të një mosmarrëveshje shtatë persona janë plagosur, njofton Llapi.info. Lajmin për portalin Llapi.info e ka konfirmuar Zyra për Informim e Policisë së Kosovës.

Sipas Policisë së Kosovës pas një mosmarrëveshje janë përfshirë në rrahje disa pjesëtarë të dy familjeve, me ç’rast lëndime trupore kanë pësuar shtatë meshkuj K/Shqiptarë, të cilët janë dërguar për trajtim mjekësor në QKUK. Nga personeli mjekësor është konstatuar se njëri nga të lënduarit nuk ka shenja jete.

“Njësitë policore kanë bastisur shtëpitë e personave të involvuar dhe nuk është gjetur asgjë e dyshimtë. Në vend të ngjarjes është gjetur një thikë, mjete pune dhe disa shkopinj, të cilat dyshohet se janë përdorur në rast”, njofton Policia e Kosovës.

Me vendim të prokurorit janë arrestuar shtatë të dyshuar të involvuar në rast dhe dy nga ta mbeten në trajtim të mëtutjeshëm mjekësor, ndërsa pesë të tjerët dërgohen në mbajtje.

Llapi.info mëson se shkak i mosmarrëveshjes mësohet të ketë qenë një mal.

Ngjarja ka ndodhur mbrëmë në ora 19:25 në fshatin Sllatinë të Podujevës.

Policia e Kosovës rastin e ka cilësuar si vrasje./Llapi.info