Janë bërë të gjitha pregaditjet për fillimin e testit të maturës në komunën e Podujevës, i cili do të mbahet nesër. Këtë e ka bërë të ditur për Llapi.info, Shefi i Drejtorisë së Arsimit në Podujevë, Xhevat Llugaliu.

“Janë bërë të gjitha pregaditjet për fillimin e testit të maturës. Janë 1452 maturantë që do t’i nënshtrohen këtij testi në Podujevë. Atyre u është siguruar nga një laps dhe një shishe ujë”, ka thënë Llugaliu për Llapi.info.

Llugaliu ka treguar se testi do të mbahet në dhjetë qendra. Në gjimnazin “Aleksandër Xhuvani” 150 nxënës, në Sh.F. “Naim Frashëri” 131 nxënës, në katin e parë të Sh.F. “Shaban Shala” 150, në katin e dytë të kësaj shkolle 147, në katin e parë të Sh.M.T. “Fan S. Noli” 149 nxënës, ndërsa në katin e dytë 150. Në katin e parë të Sh.M.E. “Isa Boletini” 150 nxënës, e po ashtu edhe në katin e dytë 150. Në katin e parë të Sh.F. “Dr. Ibrahim Rugova” 150 nxënës dhe në katin e dytë 125.

“Shkollat në të cilat testi do të mbahet në dy katet konsiderohen si dy qendra. Kati i parë një qendër, kati i dytë një qendër”, ka thënë Llugaliu.

Gjithësej, numri i maturantëve llapjanë që do t’i nënshtrohen nesër testit të maturës është 1452. Nga gjimnazi “Aleksandër Xhuvani” janë 578 maturantë, nga Sh.M.T. “Fan S. Noli” 299 dhe nga Sh.M.E. “Isa Boletini” 575.

Maturantët nesër do t’i nënshtrohen pjesës së parë të testit të maturës, i cili përmbanë 50 pyetje nga lënda e gjuhës shqipe, 30 nga gjuha angleze dhe 20 nga lënda e matematikës.

Pjesa e dytë e testit të maturës do të mbahet me 18 qershor 2016./Llapi.info