Kabinetet e Shkollës Fillore e Mesme e Ulët “Ibrahim Rugova” në Podujevë, sot janë pajisur me mjete për laboratorë shkencorë dhe mjete të tjera të konkretizimit për disa lëndë mësimore, njofton komunikata për media e Komunës së Podujevës, transmeton Llapi.info.
Përfaqësues të Organizatës Ndërkombëtare për Migrim (IOM) i kanë dorëzuar sot Shkollës Fillore e Mesme e Ulët “Ibrahim Rugova” në Podujevë pajisje për laboratorë shkencorë dhe mjete të tjera të konkretizimit, që janë pjesë e marrëveshjes së nënshkruar para disa ditësh në mes të kryetari të Komunës së Podujevës, Agim Veliu dhe përfaqësuesit të IOM-it.
Vlera e përgjithshme e këtij projekti është 12,400 euro, prej të cilave 9,900 euro janë donacion nga Bashkimi Evropian e që implementohet nga IOM-i dhe 2,500 euro nga Komuna e Podujevës.
Me rastin e pranimit të pajisjeve nënkryetari i Komunës së Podujevës, Nexhmi Rudari, falënderoi donatorin dhe implementuesin e projektit duke thënë se pajisja e kabineteve të kësaj shkolle me laboratorë dhe mjete të tjera të konkretizimit do të ndihmojë në ngritjen e cilësisë dhe rezultate më të mira në mësim.
Në ceremoninë e pranim të pajisjeve ishin prezentë ishin edhe drejtori i Arsimit, Avni Maloku, drejtori i Financave, Isuf Latifi, drejtoresha e Inspeksionit, Florie Besholli, shefi i Zyrës për Komunitete dhe Kthim, Liman Zeqiri dhe drejtori i shkollës, Selman Hoti.
Me laboratorë dhe mjete të tjera janë pajisur kabinetet për lëndët e Gjeografisë, Historisë, Fizikës, Biologjisë dhe Kimisë./Llapi.info