Kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu, ka pritur sot në një takim Avokatin e Përgjithshëm të Avokaturës Shtetërore, Heset Mazrekaj, me të cilin ka biseduar për bashkëpunimin me këtë mekanizëm të përfaqësimit të pavarur ligjor, njofton Llapi.info.


Sipas kumtesës komunale, në këtë takim është biseduar për rëndësinë e Avokaturës Shtetërore të Republikës së Kosovës, si mekanizëm i pavarur dhe i qëndrueshëm i përfaqësimit të pavarur ligjor të autoriteteve publike të Republikës së Kosovës në procedurat gjyqësore, të arbitrazhit dhe administrative.

Gjatë takimit Avokati i Përgjithshëm Shtetëror e ka informuar Veliu për rolin dhe detyrat e Avokaturës Shtetërore të Republikës së Kosovës, duke kërkuar bashkëpunim dhe mendimin profesional nga Veliu lidhur me funksionimin e këtij mekanizmi.

Ndërsa, Veliu i ka ofruar mbështetje dhe bashkëpunim të plotë Avokatit të Përgjithshëm Shtetëror për fuqizimin dhe funksionalizimin e këtij mekanizmi me rëndësi për mbrojtjen e interesave shtetërore dhe ngritjen e imazhit të institucioneve të Kosovës./Llapi.info