Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, ka nënshkruar sot një memorandum bashkëpunimi me Komunën e Podujevës, qëllimi i të cilit është mbështetja financiare për projektin: “Ndërtimi i Palestrës Sportive në Komunën e Podujevës”, projekt ky në vlerë prej 2 milion e 500 mijë eurosh, njofton Llapi.info. Sipas projeksioneve buxhetore ky projekt do të realizohet në periudhën 2016/ 2019, njofton kumtesa komunale.

Me këtë rast, ministri Kujtim Shala u shpreh se MKRS-ja është duke punuar në shumë drejtim për të përmirësuar infrastrukturën sportive në vend, në mënyrë që sporti i Kosovës të ketë kushte më të volitshme për zhvillim dhe avancim.

Më tej, Shala shtoi se me këtë investim kapital, Podujeva bëhet me palestër të standardit të lartë dhe me kushte bashkëkohore, ku sportistët e këtij vendi do t’i zhvillojnë aktivitet e tyre sportive.

Kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu e falënderoi ministrin Shala për bashkëpunimin e gjertanishëm, dhe u shpreh se ky projekt është në funksion të interesave të qytetarëve të kësaj komune dhe veçmas të sportistëve, të cilët do të bëhen me palestër sportive moderne./Llapi.info