Punësimi i 13 persona për shërbime të veçanta në kohëzgjatje më shumë se 6 muaj, rritja e borxhit në tatimin mbi pronë dhe lejimi i shfrytëzimit të hapësirave publike pa paguar asnjë centë, janë disa të gjetura tjera që Auditori i Përgjithshëm ka hasur në Komunën e Podujevës, njofton Llapi.info.
Sipas raportit të Auditorit të Përgjithshëm për vitin 2015, thuhet se Komuna e Podujevës ka 13 punëtorë të punësuar me kontrata për shërbime të veçanta, të cilat kanë kohëzgjatje më shumë se gjashtë muaj. Madje, ka kontrata të lidhura që nga viti 2010. Por, një gjë e tillë, sipas nenit 12 pika 4 të Ligjit për shërbyesit civil, nuk i lejohet më shumë se 6 muaj.
Auditori në Podujevë ka gjetur edhe rritje në borxhet e tatimit në pronë.
“Ne kemi testuar shtatë mostra nga tatimi në pronë dhe nga kjo kemi vërejtur se borxhet për vitin 2015 vetëm për këto raste ishin 10,388€. Borxhet e tatimit në pronë në vitin 2015 ishin rritur për 199,071€ apo 7% krahasuar me një vit më parë, përkatësisht nga 2,728,611€ në 2,927,682€”, thuhet në raportin e Auditorit, përcjell Llapi.info.
Përveç kësaj, Komuna e Podujevës lejon shfytëzimin e hapësirave publike “falas”.
“Në tri raste komuna kishte lidhë kontrata në vitin 2012 për dhënien në shfrytëzim të lokaleve afariste.. Kontratat nuk ishin zbatuar pasi që qiramarrësit nuk kishin bërë pagesat sipas kontratës. Borxhi total i grumbulluar ishte 25,726€. Menaxhmenti nuk kishte ndërmarr asgjë për t’i
obliguar këta qiramarrës që t’i kryejnë obligimet e tyre ndaj Komunës”, thuhet në raport.
Sipas Auditorit, në një rast komuna vazhdon ta ngarkoj një subjekt afarist me qira mujore prej 700€ për shfrytëzim të paluajtshmërisë, edhe pse kontrata kishte skaduar në vitin 2006. Që nga ajo periudhë ky shfrytëzues vazhdon ta shfrytëzoj këtë pronë pa kontratë, ndërsa borxhi total arrin vlerën 77,700€.
Po ashtu, në një rast tjetër komuna kishte lidhur kontratë me datën 19.07.2013 për shfrytëzimin e hapësirave publike për vendosjen e bilbordave në qytet. Pagesa për një vit që duhet ta paguajë qiramarrësi ishte 8,736€. Ky shfrytëzues nuk kishte paguar asnjëherë ndaj Komunës dh e borxhi total kishte arritur shumën 21,840€. Më tutje, komuna me datën 23.12.2015 ia kishte shkëputur kontratën këtij operatori dhe rastin e kishte dërguar tek përmbaruesi për ekzekutim, mirëpo Inspeksioni komunal në procesverbal të datës 27.02.2016 konfirmon se hapësirat janë duke u shfrytëzuar ende dhe pa kontratë.
Krejt kjo ka bërë që Komuna e Podujevës, të mos jetë e rregullt në larjen e Borxheve. Auditori ka testuar 19 fatura të papaguara që janë raportuar si borxhe në Ministrinë e Financave dhe ka konstatuar se komuna nuk i ka kryer obligimet brenda afatit të paraparë prej 30 ditësh, për arsye të mungesës së mjeteve.
Poashtu, sipas Auditorit, obligimet e papaguara në shumë prej 18,416€, të identifikuara në 13 fatura të vitit të kaluar nuk ishin shpalosur në PVF të vitit 2014,ndërkaq pagesat janë kryer në vitin 2015./Llapi.info