Me qëllim të sensibilizimit të qytetarëve dhe njoftimit për rrezikun që paraqesin të shtënat me armë, në takimin që është mbajtur dje të Këshilli Komunal për Siguri në Bashkësi (KKSB) është bërë e ditur se edhe sivjet duhet të mbahen takime me qytetarë, pronarët e objekteve hoteliere ku organizohen dasmat dhe ahengjet si dhe me përfaqësues të shoqërisë civile dhe subjekte të tjera, njofton Llapi.info.
Lidhur me këtë çështje Komandanti i Stacionit Policor në Podujevë, Bekim Bislimi, ka thënë se edhe sivjet, që nga fillimi i muajit qershor, është duke u implementuar projekti “Festo me zemër e jo me armë”. Ai tha se policia do të jetë shumë rigoroze dhe nuk do të tregojë aspak tolerancë ndaj atyre që do të rrezikojnë sigurinë e qytetarëve duke shtënë me armë.
Bislimi, në takimin e djeshëm, në kuadër të aktiviteteve të policisë, ka përmendur edhe disa aksione të policisë në bashkëpunim me organet komunale për parandalimin e operimit të taksive ilegale dhe operimit pa licenca të motoskafëve në Liqenin e Batllavës. Komandanti i Stacionit Policor gjithashtu potencoi edhe rastin e identifikimit dhe zbulimit të akterëve të demolimit dhe dëmtimit të shkollës në Dobërdol.
Kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu, ka përshëndetur angazhimin dhe efikasitetin e policisë për zvogëlimin e rasteve kriminale, si dhe rastin e zbulimit të kryerësve të veprës së demolimit të shkollës në Dobërdol./Llapi.info