Në komunën e Podujevës gjatësia e kanalizimieve të përfunduara është 11,6 km, nga të cilat 4,4 km kolektor, ndërsa në fazën e kryerjes së punëve apo procedura tenderuese janë edhe 14,3 km rrjet kanalizimi, transmeton Llapi.info.
Kjo është bërë e ditur nga nënkryetari i Komunës së Podujevës, Nexhmi Rudari në debatin e fundit publik të organizuar nga Kryetari i komunës së Podujevës, Agim Veliu, lidhur me realizimin e projekteve të parapara me buxhetin e Komunës për gjashtëmujorin e parë të vitit 2016.
Rudari tha se edhe në Drejtorinë e Shërbimeve Publike, Mbrojtje dhe Shpëtim projektet e planifikuara janë duke u zhvilluar sipas dinamikës.
“Tashmë është realizuar projekti i ndërtimit të urave në Konushec dhe Dvorishtë, kolektori i ujërave të zeza Shtedim-Dumnicë, rregullimi i infrastrukturës së varrezave-rregullimi i rrugëve (në Bajqinë, Dobratin, Lepajë, Bellopojë, Dumnicë), kanalizimi fekal në lagjet e qytetit (Rudari, Rakinica, Drenica) dhe në disa lagje të fshatrave Lupç dhe Shakovicë. Gjatësia e kanalizimeve të përfunduara është 11,6 km, nga të cilat 4,4 km kolektor”, tha Rudari, duke theksuar se në fazën e kryerjes së punëve apo procedura tenderuese janë edhe 14,3 km rrjet kanalizimi, transmeton Llapi.info.
Përpos kësaj, në këtë debat është bërë e ditur se është duke u punuar kolektori i ujërave të zeza në Gllamnik, ndërtimi i urës në Pakashticë e Epërme (para përfundimit), riparimi i rrugëve të asfaltuara, kanalizimi fekal në Godishnjak, zgjerimi dhe mirëmbajtja e ndriçimit publik, ndërtimi i trotuareve në qytet në Rrugët “Skënderbeu”, “Dëshmorët”, “Bedri Bajrami”, “Qëndresa”, “Ramë Obrança”./Llapi.info