Në planet e komunës së Podujevës, përkatësisht të Drejtorisë së Arsimit, për vitin 2016 është edhe renovimi i disa objekteve shkollore, njofton Llapi.info. Renovimet kryesisht kanë të bëjnë me kulmet e shkollave.
Nënkryetari i Komunës së Podujevës, Nexhmi Rudari, ka bërë të ditur të premten se në kuadër të projekteve të Drejtorisë së Arsimit do të renovohet kulmi i Gjimnazit “Aleksandër Xhuvani”, kulmi i Shkollës Fillore “Xheladin Rekaliu”, kulmi i Sh.F. “Zahir Pajaziti” në Orllan, kulmi i shkollës së fshatit Murgull dhe kulmi i Sh.F. “Ali Ajeti” në fshatin Balloc.
Ndërsa, në Sh.F. “Kadri Kadriu” në Dumnicë të Epërme do të bëhet ndërtimi i kulmit.
Shkolla Fillore “Jetullah Gashi” në fshatin Dobërdol tani e tutje do të ngrohet me nxemje dhe jo me stufa, pasi kjo shkollë do të pajiset me nxemje qendrore.
Të gjitha këto punime sipas Rudarit mund të fillojnë nga 1 korriku i vitit 2016 në mënyrë që të mos pengohet procesi mësimor./Llapi.info