Falë donacionit të biznesmenit llapjan, Enver Abazi, familja Sylejmani nga Podujeva është bërë me shtëpi të re në prag të festës së Fiter Bajramit, njofton Llapi.info. Lajmin për Llapi.info e ka bërë të ditur Zyra për Informim e Komunës së Podujevës.

Sipas njoftimit të kësaj zyreje, dorëzimin e çelësave të shtëpisë për familjen Sylejmani, në emër të Komunës së Podujevës e ka bërë drejtoresha e Drejtorisë së Inspeksionit, Florie Besholli.

Besholli me këtë rast ka përgëzuar familjen Sylejmani për hyrjen në shtëpinë e re dhe ka falënderuar donatorin për vullnetin e mirë. Po ashtu, ajo ka falënderuar edhe kompanitë e kontraktuara për punën e mirë dhe dinamike, marrë për bazë kushtet në të cilat ka jetuar më parë kjo familje.

Ndërsa, kryefamiljari i familjes Sylejmani ka falënderuar donatorin për ndërtimin e shtëpisë së re dhe Komunën e Podujevës për gatishmërinë e treguar deri në ndërtimin e saj./Llapi.info