Është bërë më shumë se një vit prejse Komuna e Podujevës kishte paralajmëruar që ta shndërronte Liqenin e Batllavës në park nacional. Por që nga atëherë asgjë nuk duket se ka lëvizur, përpos dhënies së kësaj ideje.

Komunarët e Podujevës e kishin paraparë këtë në programin trevjeçar 2015-2017, të miratuar në muajin shkurt të vitit të kaluar, shkruan sot “Koha Ditore”. Thoshin se kërkesa ka ardhur për shkak të vlerave të larta natyrore dhe rëndësisë së shfrytëzimit të ujit të pijshëm nga katër komuna të Kosovës. Në fund të kapitullit ku flitet për të dhënat arkeologjike të programit trevjeçar të banimit 2015-2017, thuhet se ky liqe tërheq mijëra vizitorë.

Gazeta ka kërkuar përgjigje nga zyrtarët komunalë të Podujevës që nga data 22 qershor, por ata nuk kanë kthyer asnjë përgjigje nëse kanë bërë ndonjë hap në këtë drejtim, nëse ka ndonjë pengesë e as se kur pritet të jetësohet kjo ide.

Vërejtje për këtë ka dhënë shefi i Grupit të këshilltarëve të PDK-së, Rafet Llapashtica. Sipas tij, komunarët vetëm e kanë degraduar këtë liqen.

Shefi i GK-së të PDK-së e ka kritikuar edhe mënyrën e menaxhimit të mbeturinave në këtë hapësirë.
“Pastaj të gjitha kanalizimet e asaj zone derdhen edhe sot në Liqenin e Batllavës”, ka thënë ai, duke e fajësuar për të gjitha këto kryetarin Veliu.

Zyra e Bashkimit Evropian bashkë me Komunën e Podujevës kanë ndërtuar gjashtë plazhe. Ky projekt i përbashkët BE-Komunë kishte filluar pas marrëveshjes së nënshkruar ndërmjet këtyre dy institucioneve që ishte bërë më 7 dhjetor 2011 dhe ka pasur për qëllim “zhvillimin, përmirësimin dhe promovimin e turizmit në Liqenin e Batllavës”.

Ndërsa ndërtimi ka nisur në vitin 2013 dhe ka kushtuar 371 mijë e 233 euro, të cilat janë investuar nga Komisioni Evropian (326 mijë e 685 euro, ose 88 për qind) dhe Komuna e Podujevës (44 mijë e 548 euro, ose 12 për qind e mjeteve). Në pesë plazhet e para janë ndërtuar vetëm rrugët-shtigjet që të çojnë në liqe dhe janë vendosur ulëset, shportat për bërllok, në plazhin 5 dhe 6 janë ndërtuar dy parkingje për vetura. Kurse vetëm në këtë të fundit është ndërtuar plazhi me zall dhe me 46 çadra me nga 2 shtretër. Këtu është ndërtuar edhe një fushë e vogël futbolli me rërë, dhe po ashtu një kënd i lojërave për fëmijë (në plazhet 6 dhe 4).

Inspektorët e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor i kishin ndërprerë punimet, kur ato ishin gati në përfundim, me arsyetimin se projekti nuk kishte leje… (gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”)