Me shumicë votash Kuvendi Komunal i Podujevës ka miratuar sot Kornizën Afatmesme Buxhetore për vitin 2017-2019, njofton Llapi.info.
Drejtori i Drejtorisë për Buxhet dhe Financa në Podujevë, Isuf Latifi, gjatë prezantimit të Kornizës Afatmesme Buxhetore komunale, tha se është pjesë përbërëse e Kornizës afatmesme të shpenzimeve (KASH) të Kosovës, dhe është ndërtuar në përputhje me procedurat buxhetore 2017/2019 të dhëna nga Ministria e Financave (MF) përmes qarkores buxhetore 2017/01.
Ndërsa, sa u përket shpenzimeve në këtë kornizë, Latifi tha se është përfshirë një projeksion tre vjeçar.
“Në fushën e shpenzimeve në KAB është përfshirë një projeksion tre vjeçar i shpenzimeve të cilat mund të financohen nga grantet qeveritare dhe të hyrat vetanake. Shpenzimet janë projektuar sipas drejtorive (programeve) dhe sipas objektit të shpenzimeve si: pagat dhe mëditjet, mallrat dhe shërbimet, komunalit, subvencionet dhe kapitalet”, ka thënë Latifi.
Shefi i Grupit të Këshilltarëve të LDK-së, Fidan Rekaliu, e ka mbështetur Kornizën Afatmesme Buxhetore të Komunës së Podujevës, për të cilën tha se siguron një analizë të hollësishme të shpenzimeve publike dhe përcakton prioritetet për zhvillimin e buxhetit për dy vitet në vazhdim.
Nga ana tjetër, opozita e ka kundështuar këtë kornizë.
Shefi i Grupit të Këshilltarëve të PDK-së, Rafet Llapashtica, bëri vërejtje e tij në lidhje me ngatërrimin e projekteve nëpër drejtori, përsëritjen e disa projekteve dhe mos realizimin e tyre ende. Edhe Shefi i Grupit të Këshilltarëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Rudari, bëri vërejtje lidhur mos specifikimin e projekteve nga drejtoritë e ndryshme./Llapi.info