Me qëllim të parandalimit të zjarreve, rritjes së efikasitetit dhe mbulimit më të mirë të territorit, Brigadës së Zjarrfikësve të Podujevës iu shtuan edhe 10 zjarrfikës sezonal, njofton kumtesa komunale, transmeton Llapi.info.
Ky projekt po realizohet falë bashkëpunimit të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS), Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR) dhe Agjencionit të Pyjeve të Kosovës (APK).
Drejtori i Zyrës Regjionale të Pyjeve të Prishtinës, Hakif Hyseni në fjalën e tij i uroi zjarrfikësit e rinj për angazhimin, ndërsa për punën e tyre të ardhshme tha së duhet të jeni krenar, sepse është punë e cila do të shpëtojë jetë njerëzish dhe të mirat e tyre materiale.
Drejtori i Drejtorisë për Shërbime Publike, Mbrojtje dhe Shpëtim (DSHPMSH) Faik Muçiqi tha se shpreson në vazhdimësinë e bashkëpunimit të mirë dhe të suksesshëm në mes të punëtorëve praktikantë dhe udhëheqjes së brigadës.
Ndërsa, duke iu referuar rolit të tyre në punën e Brigadës së Zjarrfikësve të Podujevës ai tha se angazhimi i këtij grupi është shumë i nevojshëm, duke marrë për bazë territorin e madh që ka Komuna e Podujevës dhe numrin e vogël të zjarrfikësve me të cilin operon kjo brigadë.
Mirëseardhje zjarrfikësve sezonal iu uroi edhe shefi i brigadës Milaim Ajvazi.
Punëtorët praktikantë të angazhuar në Brigadën e Zjarrfikësve në Podujevë do të shërbejnë për tre muaj./Llapi.info