Këshilltarët opozitarë kanë adresuar kritika të shuma në drejtim të zyrtarëve të Ekzekutivit të Podujevës për mosrealizimin e disa projekteve që po përsëriten për çdo vit në planifikimet buxhetore.

Gjatë mbledhjes kur po diskutohej për Kornizën Afatmesme Buxhetore (KAB) 2017-2019, ata kanë thënë se ky dokument do të ndryshojë edhe disa herë para se të fillojë të implementohet, shkruan sot “Koha Ditore”. Kjo, sipas tyre, ndodh për shkak se qeverisja komunale në këtë komunë nuk ka ndonjë plan pune, por se punon në mënyrë të atypëratyshme.

Shefi i Grupit të këshilltarëve të PDK-së, Rafet Llapashtica, ka thënë se në këtë dokument ka edhe përzierje kompetencash ndërmjet drejtorive komunale.

“Korniza Afatmesme Buxhetore deri në vitin 2017 prej kur fillon të implementohen do të ndërrohet edhe 3 herë me kërkesë të drejtorit…Po i shoh 15 mijë euro për shtigje për biçikleta te parku i qytetit dhe 15 mijë të tjera për trotuare te pishat e Kërpimehut, që janë të parapara nga Drejtoria për Zhvillim Ekonomik. Nuk po më duket se i përket kësaj drejtorie. Nuk e di çfarë zhvillimi ekonomik do të bëhet nga ky projekt”, ka theksuar Rafet Llapashtica.

(Më gjerësisht lexoni sot në Koha Ditore)