Këshilli i Drejtorëve të Komunës së Podujevës ka diskutuar sot për publikimin e një informacioni siç thuhet në kumtesën komunale të pavërtetë nga OJQ “Demokracia fillon këtu”, i cili më pas u publikua edhe në medie të ndryshme, transmeton Llapi.info.
Qëndrimi i cili doli nga Këshilli i Drejtorëve është se Komuna e Podujevës dhe kryetari Agim Veliu, në vazhdimësi kanë krijuar lehtësira për bizneset të cilat shprehin dëshirë ta investojnë kapitalin e tyre me qëllim të krijimit të vendeve të reja të punës dhe zhvillimin ekonomik të Podujevës.
Sipas kësaj kumtese, Komuna e Podujevës në çdo kohë është e gatshme të ofrojë bashkëpunim dhe përkrahje institucionale për secilin biznes, i cili mundëson punësimin e qytetarëve të Podujevës.
Ndërsa, adresimin e organizatës në fjalë, ekzekutivi komunal e konsideron si tendencioz dhe të bërë me qëllime politike, duke përdorur një temë të ndjeshme siç është punësimi.
Roli i OJQ-ve vlerësohet pozitiv kur ato adresojnë problematika në interes të qytetarit, mirëpo rastet kur ato përhapin informacione të pavërteta për tema të ndjeshme, janë të papranueshme dhe për keqardhje./Llapi.info