Poeti, prozatori dhe kritiku letrar nga Podujeva, Imer Topanica, ka reagur ndaj shkrimit të Mehmet Krajës “Letër myslimanëve të Facebook-ut”, transmeton Llapi.info.
Po ju sjellim të plotë reagimin e Topanicës ndaj Krajës:
Një akademik që s’reagon për spastrimin etnik të shqiptarëve në Preshevë (proces që po ndodh përditë ), një akademik që s’reagon për rikolonizimin e Veriut të Mitrovicës (proces që gjithashtu po zhvillohet përditë), një akademik që s’e sheh shtatoren e Car Lazarit, vënë së fundi në pjesën veriore të qytetit të Mitrovicës (ndonëse sipas disa burimeve, e gjatë 12–17 metra), një akademik i cili është akuzuar publikisht si kolaboracionist (Çegrani, Nafi: BALLË PËR BALLË ME VDEKJEN; Koha, 2000 Lange 258 Seiten; fq. 129 -130*); një akademik që nuk e ka parë të arsyeshme t’i demantojë këto akuza e aq më pak të deklarohet i gatshëm duke bërë thirrje për hapjen e dosjeve, na e paska bërë një pyetje publike, të gjithë neve muslimanëve që natyrisht, s’i takojmë vetëm botës virtuale, por më shumë se kurrë edhe asaj reale. Neve që vetëm pak ditë më parë, si qytetarë të lirë, gëzuam të drejtat që na i garanton kushtetuta dhe normat ligjore ndërkombëtare në fuqi.
Por ç’siklet i madh t’ia shpjegosh një akademiku disa gjëra esenciale qysh në fillim të përgjigjes. Si për shembull që, për botëkuptimin tonë, kuantiteti i veprave, respektivisht i njerëzve që i kryejnë këto vepra, s’përbën kurrfarë vlere, në esencë për botëkuptimin tonë ka domethënie kualiteti i veprave, respektivisht i njerëzve që i realizojnë ato. Të mbërthen sikleti kur kupton se gjithë atë mund e ka derdhur në tërë karrierën e tij akademike dhe ende s’ka arritur ta kuptojë një gjë kaq të thjeshtë, kaq elementare. (“Por kam botëkuptime perëndimore (së paku kështu pretendoj unë) për shoqërinë, për laicitetin e shtetit, për lirinë e fesë dhe të besimit, për ekumenizmin fetar dhe për çdo gjë tjetër që lidhen me këto. Si unë besoj se ka edhe shumë të tjerë në Kosovë. Madje, mos t’ju vijë keq nëse ju them se ne përbëjmë shumicën. Mehmet Kraja: Letër myslimanëve të Facebook-ut“). Siklet, sepse pas leximit të tekstit, kupton që pyetja që ka drejtuar nuk mund të merret si një fillim dialogu, siç pretendon ai, sepse, ai vetë i përgjigjet. E sikletshme vërtet, kur lexon se si identifikohet me botëkuptimin perëndimor. Edhe këtë pa e kuptuar aspak që vlerat islame janë po aq perëndimore sa edhe lindore dhe rrjedhimisht, kur bën përpjekje për ta diferencuar islamin nga perëndimorja, pavetëdijshëm na del një relikt i bllokut lindor, pra një puro komunist.
E po, le të mos humbim kohë rreth tij sepse po nisëm t’ia numërojmë kundërthëniet, dobësitë, po nisëm e e gjurmuam karrierën e tij të vobektë (se si i është dashur ta plotësojë një humnerë në CV-në e tij, me anë të artikujve të gazetave ditore, shih: http://www.ashak.org/?cid=1,24,45), pra po ta shndërronim atë vetë në objekt trajtimi, do të kuptohej si përpjekje për t’iu shmangur pyetjeve që ai përpiqet t’i formulojë (po u mor parasysh konteksti politik, social, ekonomik e kulturor aktual i vendit – dalin me qenë pyetje banale). Por ne nuk u bishtnojmë pyetjeve, pavarësisht se jemi kaq të zënë me gjëra shumë më të mëdha. Nuk e kemi për natyrë bishtnimin. E meqenëse është kështu, atëherë para përgjigjeve, le t’ia kujtojmë lexuesit pyetjet që shtron ai: “Çfarë do bëni me Kosovën? Ku do ta çoni atë, në Lindje apo në Perëndim?”
- Përgjigja e parë është kjo: do ta ndërtojmë Kosovën, duke e nisur me pastrimin e pluhurit që është shtresuar në institucione vitale si ASHAK-u, Universiteti ‘Hasan Prishtina’ dhe institucionet e tjera arsimore publike e private, në të gjitha nivelet, duke i larguar dembelët e duke e luftuar injorancën që e përbën lëndën e këtij pluhuri. Duke vazhduar me pastrimin e mykut, që ka zënë vend në gjithë literaturën tonë postkomuniste, e që prapëseprapë mban erë komunizmi. Do ta ndërtojmë Kosovën duke e nisur me hapjen e dosjeve, me qëllim që t’i demaskojmë gjithë hipokritët, të gjithë ish UDB-ashët që sot marrin guxim dhe dalin në krye të xhematit, duke thënë që me ne bëhet Kosova dhe duke i nxjerrë përpara drejtësisë, pasi që ta rimëkëmbim edhe këtë. Duke i dënuar të gjithë gënjeshtarët, pavarësisht asaj se mund të kenë emra muslimanë, krishterë, modernë a klasik (emri nuk çon peshë për ne, kjo s’përbën esencën…), qofshin të radhitur në rresht me ne, qofshin me të tjerët. Përfundimisht do ta nisim ndërtimin e Kosovës, duke punuar shumë. Ne veç po punojmë në përmbysjen e këtij rendi antivlerash që po na e zënë frymën. Do t’ia presim rrënjët e shtrira thellë në ekonomi, politikë e përgjithësisht, në kulturën tonë.
- Përgjigjja në pyetjen e dytë: Nuk do ta çojmë as në Lindje e as në Perëndim. Ne e luftojmë këtë mendësi prej provinciali e cila thotë se bota ende ndahet me këta kufij të vjetër, Lindorë e Perëndimorë. Çdo ide që përbën një vlerë, pavarësisht origjinës, lindore a perëndimore qoftë, për ne është e negociueshme dhe e pranueshme. Ne jemi të gatshëm të ballafaqohemi me botëkuptime të reja, ide të reja, me një fjalë të jemi pjesë e progresit. Ne jemi qytetarë të botës dhe jo provincialë perëndimorë a lindorë.
Nëse duket që këto janë përgjigje përgjithësuese, ja ta sqarojmë thelbin e kauzës sonë: Kauza jonë është Paqja. Paqja e gjithëmbarshme, ndërmjet muslimanëve dhe jomuslimanëve, qofshin këta të krishtenë, hebrenj, ateistë, zen-budistë, majtistë, djathtistë, materialistë etj., etj. Një pjesë prej tyre (jomuslimanëve), janë me ne sepse kauza jonë është edhe e tyrja. Kjo është utopi, mund të thoni, po ashtu është, e pranojmë, por është e vetmja kauzë për të cilën ia vlen të luftosh.
- Ne e kuptojmë që disa e kanë të vështirë t’i pranojnë vlerat që ofron sistemi/botëkuptimi islam dhe për këtë nuk kemi të drejtë t’i detyrojmë të tjerët të besojnë e aq më pak, të veprojnë si ne, sepse le të bëhet e qartë: Është në kundërshti me vetë botëkuptimin islam. Ne e kuptojmë që e kanë të vështirë t’i pranojnë këto vlera sepse, fundi i fundit, disa nga porositë që na vijnë përmes thënieve profetike si: ‹‹Pastërtia është gjysma e besimit!››, e cila na obligon që të pastrohemi pesë herë në ditë dhe ajo tjetra: ‹‹Kush gënjen, nuk është prej nesh!››; janë obligime të rënda për disa-disa.
- Për këtë, gjatë kohës kur akademikët tanë flenë përballë dukurive si korrupsioni (që ka paralizuar çdo funksionim normal të institucioneve tona), gjatë kohës kur akademikët e tillë mrizojnë nën hijen e shtatores së Car Lazarit, ne jemi duke punuar për ta ndërgjegjësuar qytetarin tonë të thjeshtë për gjëra të drejta, për gjëra të bukura, për gjëra me vlerë. E kur akademikët e tillë zgjohen në të rrallë nga koma dhe bëjnë pyetje të tilla injorantësh, ne ndoshta nuk do të mund t’u gjegjemi çdo herë, jo për gjë, por jemi të zënë me punë.
______________________
*Çegrani në faqen 129 – 130 të librit “Ballë për ballë me vdekjen“ shkruan: “Edhe pas Plenumit të Brioneve dhe rënies së Rankoviqit, vazhdon spiunazhi në mes shqiptarëve si në Maqedoni, ashtu edhe në Kosovë, Mal të Zi dhe Shqipëri. Gati të gjitha redaksitë e gazetave dhe të radiotelevizioneve në Maqedoni dheKosovë shndërrohen në qendra rezidente, me të cilat SDB-ja ( UDB-ja – Sh.B) vite me radhë e sinkronizonte veprimtarinë e vet të errët kundër shqiptarëve. Në kohën kur në SDB të Kosovës vrisnin e prisnin Mehmet Shoshi, Xhevdet Hamza, Mehmet Maliqi e Selim Brosha, këtij shërbimi sekret iu “shitën” falas edhe shumë gazetarë të “Rilindjes”, si Maksut Shehu, Fadil Bujari, Mehmet Kraja, Sabri Hamiti, Jusuf Buxhovi, ndërsa në Televizionin e Prishtinës, Riza Alaj, Fahredin Gunga, Agim Zatriqi, disa të punësuar në Arkivin Historik të Kosovës etj.” – përfundon citati.