Kanë filluar procedurat e prokurimit për blerjen e një mamografi për Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Podujevë, njofton Llapi.info. QKMF mund të bëhet me mamograf brenda një muaji e gjysmë.

Drejtori i Drejtorisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale në Podujevë, Agron Hyseni, ka thënë për Llapi.info se kanë filluar procedurat e prokurimit për sjelljen e një mamografi. Sipas tij, mamografi do të sillet brenda një muaji e gjysmë.

“Nuk ka me shku më shumë se një muaj e gjysmë. Prej 30 deri 45 ditë pritet të bëhet liferimi i mamografit (sjellja e mamografit). Tash për tash është vetëm në procedurë të prokurimit”, ka thënë Hyseni për Llapi.info.

Ai ka treguar se Drejtoria e Shëndetësisë ka planifikuar një shumë prej 105 mijë euro për blerjen e mamografit. Por, kjo shumë mund të ndryshojë.

“Ne kemi planifikuar 105 mijë euro, por nuk do të thotë që do të jetë ky çmim, sepse ofertën e përcakton kompania që e ofron mamografin. Mund të kushtoj më lirë ose më shtrejtë, por 105 mijë euro është shumë që është ndarë”, ka shturar Hyseni.

Mamografi do të fillojë punën menjëherë pasi të bëhet montimi i tij nga operatori ekobnomik dhe pasi të jetë trajnuar stafi për fillimin e punës./Llapi.info