Katër punëtorë kanë mbetur të lënduar në Podujevë si pasojë e shembjes së një konstruksioni meskatësh që ishte duke u ndërtuar, njofton Llapi.info. Lajmin për portalin Llapi.info e ka konfirmuar Policia e Stacionit të Podujevës.
Sipas policisë, ngjarja ka ndodhur sot në orën 18:35 minuta. “Punëtorët kanë qenë duke e ndërtuar objektin në të cilin është rrëzuar konstruksioni meskatësh (plloqa). Objekti që është rrëzuar ka qenë në fshatin Shtedim, në afërsi të “Iliria Benz”, përkatësisht pronë e familjes Maqani”, kanë thënë në Stacionin Policor të Podujevës.
Mjeku kujdestar në Qendrën Emergjente në Podujevë ka thënë për Llapi.info se nga ky aksident kanë mbetur të lënduar katër punëtorë, prej të cilëve dy janë në gjendje më të rëndë.
Ata janë dërguar menjëherë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës dhe janë jashtë rrezikut për jetë./Llapi.info