Kryetari i Sindikatës së Arsimit Fillor dhe të Mesëm në Podujevë, Fadil Halimi, në një konferencë për shtyp ka kundërshtuar testin me shkrim për mësimdhënës të paralajmruar nga Ministria e Arsimit të Republikës së Kosovës.
Sipas Halimit, mësimdhënësit llapjanë këtë test e vlerësojnë si një fyerje profesionale të mësimdhënies, transmeton Llapi.info.
“Këtë test eksperimentues mësimdhënësit llapjanë e vlerësojnë si një fyerje në etikën profesionale të mësimdhënies dhe degradim të dijës së arritur gjatë studimeve”.
Tutje në këtë konferencë, Kryetari i SAF dhe SAM në Podujevë, tha se ky test do të godasë më së shumti mësimdhënësit në prag të pensionimit dhe ata të cilët kanë vështirësi shëndetësore.
“Ky test do të godas më së shumti mësimëdhnësit që janë në prag të pensionimit disa prej të cilëve me vështërsi të mëdha shëndetësore po ecin deri në përfundim të misionit të tyre të arsimimit të gjeneratave te reja.” tha Halimi.
Në vend të këtyre testeve sipas Halimit, mësimdhënësit të cilët kanë probleme shëndetësore duhet të pensionohen dhe të ndihmohen në forma të tjera.
“Në vend të testeve të tilla eksperimentuese mësimdhënësve të tillë do të mund t`u ndihmohej në forma tjera çoftë me shërbime më cilësore shëndetësore apo me ndonjë rregullore të veçantë për pensionim të parakohshëm.” është shprehur Halimi./Llapi.info