Në Podujevë, përkatësisht në fshatin Tërrnavicë ka filluar vjelja e parë e mjaltit, transmeton Llapi.info.

Kryetari i Komunës së Podujevës Agim Veliu së bashku me zëvendësministrin e Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR), Vezir Januzi, kanë vizituar dy bletarë në fshatin Tërrnavicë, bletarin Hilmi Syla dhe Esat Deda, ku zhvilluan vjeljen e parë të mjaltit për këtë sezon, njofton Zyra për Marrëdhënie me Publikun dhe Informim e Komunës së Podujevës.

Gjatë vizitës te bletari Syla, Veliu shprehi gatishmërinë e tij për kujdes dhe rritje të përkrahjes për fermerët llapjanë në të gjithë sektorët, duke përmendur sektorin e bletarisë në veçanti.

“Komuna e Podujevës vitin që shkoi ka ndarë nga 10 shoqëri bletësh për 100 bletarë, por duke parë interesimin e fermerëve që të merren me bletari, kemi vendosur që edhe këtë vit të vazhdojmë me subvencionimin e bletarëve”, tha Veliu.

Veliu tha se subvencionet në bujqësi ndikojnë drejtpërdrejt në mirëqenien e ekonomive familjare, sepse po krijohen kushte për vetëpunësim dhe rritjen e të hyrave materiale.

Përkrahje për fermerët llapjanë, në emër të MBPZHR-së, ofroi edhe zv-ministri Januzi i cili tha se Ministria e Bujqësisë për sivjet ka paraparë rritje të subvencionimit për çdo shoqëri bletësh nga 10 në 15 euro.

Ndërsa fermerët Hilmi Syla, e Esat Deda, falënderuan Komunën për përkrahjen dhe shprehën gatishmëri për rritje të bashkëpunimit dhe shkëmbim të përvojave në mes të bletarëve./Llapi.info