Opozita në Podujevë në mbledhjen e fundit të Kuvendit Komunal është përqendruar te të gjeturat e Auditorit të Përgjithshëm për vitin e kaluar duke kërkuar sqarime shtesë nga Qeverisja Lokale, njofon Llapi.info.
Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së në Podujevë, Rafet Llapashtica tha se në sektorin e bujqësisë Auditori i Përgjithshëm nuk ka mundur të jap arsyetime se pse vetëm 30 persona janë përfitues të bletëve përderisa 90 përqind e aplikuesëve i kanë plotësuar kriteret.
“Te bujqësia, Auditori i Përgjithshëm nuk ka mujt me dhanë arsyetim që pse 30 vetave u japin bletë kur 90 përqind e aplikuesve i kanë plotësuar kriteret. Pse janë eliminuar 130 bletarë. Po ashtu edhe për serat. Qytetarët na kanë pyetur se çfarë ka ndodhur, por nuk kemi pasur përgjigje. pastaj për bursa, ne nuk kemi pasur lista të dimë se kush janë fituesit. Kërkoj që lista e bletarëve, serrave dhe bursave të na sillet të shohim se kujt i keni dhënë dhe po ashtu edhe për kriteret.” ka thënë Llapashtica.
Gjithashtu Llapashtica kam folur edhe për çështjen e subvencioneve duke thënë se nuk është kundër tyre , sepse ata mendojnë se subvencionet janë të vogla, është dashur të jenë edhe më të mëdha, por sipas tij ato janë keqpërdorur.
Ndërsa Drejtori i Drejtorisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Avni Fetahu tha se nëse kritetret do të ishin më të ashpëra, opozita prap do të ankohej.
“Nëse i kishim ashpërsua kriteret për dhënie të subvencioneve, ju kishit me thanë pse i keni bllokua edhe po kqyrni me i marrë për vete. komisioni e ka kryer punën në mënyrën më të mirë të mundshme. Komisioni ka marrë për bazë edhe numrin e anëtarëve të familjeve, ujitjen, etj. të gjithë ata përfitues janë të dalluar nga të tjerët. Prej këtyre përfituesve vetëm 8 ankesa i kemi pasur dhe njëri nga ta është përfshirë në përfitimin e një sere.” tha ndër të tjera Fetahu.
Duke vazhduar më tutje Fetahu përmendi edhe prodhimtarinë e mjedrës duke e paraqit atë si zhvillim ekonomik në Podujevë. Mirëpo, edhe për këtë Llapashtica pati kundërshtime.
“Nuk mundesh për 2 vjet mjedrën me paraqit si zhvillim ekonomik. Dhe krejt ato nuk janë subvencione, por janë edhe investime individuale.Çka ke pas me qit në terren Komisionin, kur nuk ke pas kriter. I keni 77 mijë euro që nuk po mund t’i inkasoni a ne e kemi pas një kërkesë prej 3 shoqatave për 1700 euro dhe nuk ua keni dhënë. ”- tha Llapashtica
Ndërsa, Nënkryetari i Komunës së Podujevës, Nexhmi Rudari, tha se Raporti i Auditorit të Përgjithshëm mund të shihet në këndvështrime të ndryshme.
“Këtë raport është si ta marsh, pozita që e sheh me sy optimist-pozitiv dhe opozita që e sheh me sy pesimist-negativ. E mira është që ky raport nuk mund të ndryshohet. Në fakt, mund të ndryshohet ai i vitit 2016 duke i zbatuar rekomandimet që janë dhënë sivjet.” tha Rudari./Llapi.info