Kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu, ka vizituar stadiumin e qytetit “Zahir Pajaziti” për të përcjellur nga afër finalizimin e punimeve për renovimin e tij, njofton Zyra për Marrëdhënie me Publikun dhe Informim e Komunës së Podujevës, transmeton Llapi.info.

Gjatë vizitës në stadium kryetari Veliu u informua nga përfaqësuesi i kompanisës së kontraktuar se punimet për rregullimin e stadiumit janë në fazën përfundimtare, gjë që do t’i mundësojë KF Llapi që kampionatin e ri ta nis në stadiumin e renovuar.

Sipas kumtesës komunle, Veliu u shpreh i kënaqur që punimet kanë arritur në në fazën finale dhe i ofroi përkrahjen e pa rezervë të ekzekutivit komunal kompanisë punëkryerëse, që stadiumi të jetë i gatshëm në fillim të kampionatit.

“Ne si komunë jemi të gatshëm në çdo kohë ta ofrojmë ndihmën tonë me mundësitë që kemi me qëllimin e vetëm që kjo fushë të jetë e gatshme për lojë, për xhiron e dytë kur Llapi e zhvillon ndeshjën e parë kampionale si vendës”, tha kryetari Veliu.

Veliu tha se renovimi i fushës dhe rrethojave është pjesa e parë e projektit për renovimin e stadiumit “Zahir Pajaziti”, ndërsa në pjesën e dytë të projektit do të ndërtohen tribunat dhe do të renovohen objektet përcjellëse.

Renovimi i stadiumit të qytetit “Zahir Pajaziti” është mbështetur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS)./Llapi.info