Podujevë, 20 mars – Shpenzimet e vendimeve gjyqësore ia kanë “avulluar” Komunës së Podujevës qindra mijëra euro për nëntë muaj. Këto pagesa që janë ndarë në dy kode buxhetore në Raportin financiar për periudhën janar-shtator 2014 kapin shifrën e 168 mijë e 526 euro e 44 centë.

Në të parin në shumën prej 19 mijë e 585 euro e 71 centë shkruhet “shpenzime-vendime të gjykatave”, ndërsa në tjetrin 148 mijë e 940 euro e 73 centë për “Pagesa-vendime gjyqësore”. Të dyja bashkë bëjnë 168 mijë e 526 euro e 44 centë.

Komuna e Podujevës për nëntë muaj të vitit të kaluar ka shpenzuar edhe 104 mijë e 201 euro për rrymë, 195 mijë e 176 euro për “Shërbime kontraktuese tjera”, duke mos treguar konkretisht se çka.

Për nëntë muajt e parë të vitit 2014 zyrtarët komunalë të Podujevës kanë harxhuar edhe 92 mijë e 559 euro për dru e 8 mijë e 255 euro për qymyr, 65 mijë e 556 euro për karburant për vetura, 14 mijë e 57 euro për mirëmbajtjen dhe riparimin e veturave, 77 mijë e 796 euro për “Furnizime për zyrë” e 21 mijë e 302 euro për furnizime pastrimi.

Shpenzime të mëdha Komuna e Podujevës ka bërë edhe për ujë e mbeturina. Janë 42 mijë e 458 euro që janë harxhuar për ujë e 39 mijë e 759 euro për mbeturina.

Të vogla nuk janë as shpenzimet e bisedave telefonike. Për periudhën janar-shtator 2014 kjo komunë ka harxhuar 7 mijë e 419 euro për telefoninë mobile dhe 6 mijë e 987 euro për telefoninë fikse.

Ndërsa, për udhëtime zyrtare jashtë vendi zyrtarët komunalë të Podujevës kanë shpenzuar 3 mijë e 153 euro, për mëditjet e udhëtimit zyrtar jashtë vendi 1 mijë e 28 euro, 720 euro për akomodimin gjatë udhëtimeve zyrtare jashtë vendi dhe 153 euro për shpenzime tjera të udhëtimeve zyrtare jashtë vendi. Për këta nëntë muaj,

Komuna e Podujevës ka bërë edhe shpenzime tjera, disa në shifra më të vogla e disa më të mëdha./llapi.info.