Sot në orën 15:00 mblidhet Kryesia e Kuvendit, ku pritet të caktohet seanca për votimin e presidentes.
Kandidate e Lëvizjes Vetëvendosje për postin e presidentes është Vjosa Osmani, ani se nuk i ka të sigurta votat për të, shkruan Klan Kosova.
Nëse në dy raundet e para Osmani i merr së paku 80 vota, dhe në raundin e tretë 61 vota, ajo bëhet presidentja e gjashtë e Kosovës.
Por kush ishin pesë presidentët e tjerë?
Presidenti i parë i zgjedhur pas luftës ishte Ibrahim Rugova.
Presidenti historik i Kosovës Ibrahim Rugova, lindur në vitin 1944 në fshatin Cercë, të komunës së Istogut, kishte një histori të trishtë familjare. Më 10 janar 1945 komunistët jugosllavë ia pushkatuan të atin, Ukën dhe gjyshin Rrustë Rugova.
I diplomuar për gjuhë dhe letërsi shqipe, Rugova u specializua në Paris, nën mbikëqyrjen e Prof. Roland Barthes. Për afro dy dekada, Dr. Ibrahim Rugova zhvilloi veprimtarinë shkencore në Institutin Albanologjik ndërsa më 1988 u zgjodh kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës. Me 23 dhjetor 1989, u zgjodh që në themelim kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, partisë së parë politike në Kosovë.
Politika e tij e rezistencës paqësore, bëri që të njihej si Gandi i Ballkanit. Deklarata e pavarësisë më 2 korrik 1990), shpallja e Kosovës Republikë dhe miratimi i kushtetutës së saj më 7 shtator 1990, referendumi popullor për pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës, mbajtur në fund të shtatorit 1991, i paraprinë zgjedhjeve të para shumëpartiake për Kuvendin e Kosovës, mbajtur më 24 maj 1992. Dr. Ibrahim Rugova u zgjodh President i Republikës së Kosovës dhe që prej asaj kohe, e derisa ndërroi jetë, vazhdoi të ishte presidenti i pakontestueshëm i vendit. Në zgjedhjet e para të pas-luftës, në vitet 2000, 2001, 2002 dhe 2004, LDK-ja e udhëhequr prej tij, fitoi zgjedhjet nacionale dhe lokale. Dr. Ibrahim Rugova u zgjodh President i Kosovës në mars të vitit 2002 dhe u rizgjodh edhe më 2004. Ndërroi jetë më 21 janar 2006 në Prishtinë dhe u varros në Bregun e Diellit.
Presidenti i dytë i zgjedhur pas luftës ishte Fatmir Sejdiu.
Fatmir Sejdiu, po nga Lidhja Demokratike e Kosovës, pasoi në detyrë Dr.Ibrahim Rugovën. I lindur në vitin 1951 në Pakashticë, komuna e Podujevës, Sejdiu u diplomua në Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin e Prishtinës, në vitin 1974, ku u bë më vonë edhe profesor universitar. Ashtu si Rugova, edhe ai u specializua në Paris. Ishte pjesëmarrës i Kuvendit themelues të Lidhjes Demokratike të Kosovës më 23 dhjetor 1989 dhe anëtar i Komisionit Qendror për organizimin e Referendumit për pavarësinë e Kosovës të mbajtur më 1991.
Vazhdoi të kishte poste të larta drejtuese në parti edhe më pas ndërkohë që më 9 dhjetor 2006 u zgjodh kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, funksion në të cilin ishte deri në vitin 2010. Është zgjedhur deputet në Kuvendin e Republikës së Kosovës që nga 1992 dhe 1998, dhe më pas pas luftës. Më 10 shkurt 2006, Fatmir Sejdiu u zgjodh Presidenti i Republikës së Kosovës me dy të tretat e votave të deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Ka udhëhequr Ekipin e Unitetit, në bisedimet para përcaktimit të statusit final të Republikës së Kosovës.
Më 27 shtator 2010, dha dorëheqje nga posti i Presidentit të Republikës së Kosovës.
Presidenti i tretë i zgjedhur pas luftës ishte Behgjet Pacolli.
Biznesmeni Behgjet Pacolli do të ishte presidenti me më pak kohë në detyrë ndër presidentët e Kosovës. U zgjodh president më 22 shkurt 2011 dhe qëndroi në këtë post deri më 30 mars 2011, vetëm një muaj. I lindur në vitin 1951 në Marec të Prishtinës, Pacolli studion për tregti në universitetin e Hamburgut dhe në vitet 90’të themelon kompaninë Mabetex Project Engineering në Lugano të Zvicrës. Në vitin 2007, themelon partinë politike Aleanca Kosova e Re, AKR. Deputet në kuvendin e Kosovës në disa legjislatura.
Pas vetëm një muaji në detyrë, Gjykata Kushtetuese e Kosovës e quajti jokushtetues vendimin për zgjedhjen e tij në postin e Presidentit. Më 30 mars 2011, kjo gjykatë publikoi vendimin e marrë më 28 mars, sipas të cilit, “Vendimi i Kuvendit të Republikës së Kosovës Nr. 04-V-04, lidhur me zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Kosovës, më 22 shkurt 2011, është jokushtetues”.
Presidentja e katërt e zgjedhur pas luftës ishte Atifete Jahjaga.
Atifete Jahjaga do të ishte presidentja e parë e Kosovës, e cila qëndroi në detyrë për një mandate të plotë, në periudhën 2011-2016. E lindur në vitin 1975 në një fshat të Gjakovës, Jahjaga ishte Zëvendësdrejtoreshë e Përgjithshme e Policisë së Kosovës që nga shkurti i vitit 2009 deri në zgjedhjen e saj Presidente e Republikës së Kosovës, më 7 prill 2011. Ishte pjesë e policisë së Kosovës që nga themelimi i saj. Ishte diplomuar në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës, në vitin 2000. Njihet si presidentja, emri i së cilës iu dha liderëve politikë të Kosovës i shkruar në një zarf.
Presidenti i pestë i zgjedhur pas luftës ishte Hashim Thaçi.
Hashim Thaci u zgjodh president i Kosovës në vitin 2016 dhe shërbeu në këtë detyrë deri më 5 nëntor 2020, kur u konfirmuan aktakuzat ndaj tij nga një gjykatë speciale për krime lufte. Para se të bëhej president, Thaçi kishte qenë zëvendëskryeministër dhe ministër i jashtëm në periudhën 2014-2015 dhe kryeministër në dy mandate, në periudhën 2007-2014. Thaçi ka qenë kryetari i parë i Partisë Demokratike të Kosovës dhe është rizgjedhur vazhdimisht kryetar i partisë, deri më dorëheqjen e tij më 26 shkurt 2016, para se të votohej për president. Thaçi ka shënjuar të gjitha proceset madhore politike të pavarësimit të Kosovës, shpalljen e pavarësisë më 17 shkurt 2008 në kuvendin e Kosovës, drejtimin e ekipit të Kosovës në bisedimet e Rambujesë në shkurt 1999 dhe ishte udhëheqës politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në periudhën 1997 – 1999.
Si kryeministër, udhëhoqi dialogun politik midis Kosovës dhe Serbisë, një dialog teknik që përfundoi në vitin 2013, me nënshkrimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë. Angazhimi i tij politik fillon me Lëvizjen Popullore të Kosovës (LPK), me protestat e studentëve në periudhën 1990-1993, dhe më pas në themelimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Që nga viti 1997, Hashim Thaçi ishte udhëheqës i Drejtorisë Politike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Kryeson delegacionin e Kosovës në Konferencën Ndërkombëtare të mbajtur në Rambouillet të Francës, nga 6 deri më 22 shkurt 1999. Pas luftës, Hashim Thaçi ishte kryeministër i qeverisë së përkohshme të Kosovës në periudhën 1999 – 2000. Në vitin 2000, zgjidhet kryetar I Partisë Demokratike e Kosovës, post të cilin e mbajti deri më 26 shkurt 2016, kur u zgjodh president i vendit.