Kohëve të fundit, disa nga partitë opozitare, prej tyre më së shpeshti Lidhja Demokratike e Kosovës kanë kërkuar që vendi të shkoj në zgjedhje të parakohshme.
Kështu, sipas tyre do të zgjidhej një Qeveri dhe një Kuvend më legjitim dhe më funksional për vendin.
Nëse vendi do të shkonte në zgjedhje, disa nga partitë politike që janë më të vogla tregojnë se me kë do të mund të bënin koalicione, shkruan Indeksonline.
Kryetarja e Alternativës, Mimoza Kusari-Lila ka thënë se partia e saj nuk ka menduar një gjë të tillë.
Në një prononcim për Indeksonline, Kusari-Lila ka vlerësuar se ka kohë për të folur për koalicionet.
“Është ende herët të diskutohet me kë do të shkonim në koalicion, realisht i kemi trajtuar përbrenda partisë se cilat do të ishin skenarët apo variantet, por nuk ka pasur ndonjë vendim apo plan ende për atë se nëse do të mbaheshin zgjedhjet me kë do të ishim apo me çfarë forme do të organizonim koalicionin”, ka thënë Kusari-Lila, duke shtuar se nuk ka ende asgjë konkrete në këtë drejtim sa i përket Alternativës.
Për koalicione të mundshme me partitë tjerë nuk ka diskutuar më konkretisht as Aleanca Kosova e Re. Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës Kosova e Re, Vesel Makolli ka thënë se kjo temë nuk është përmendur në parti, pasi që sipas tij, ka kohë për të menduar për zgjedhje.
Në një deklaratë për Indeksonline, ai ka theksuar se situata aktualisht është e qetë dhe nuk ka nevojë të mendohet për zgjedhje të reja.
“Absolut nuk kemi diskutuar në parti për ndonjë koalicion, e tani janë edhe pushimet, por s’kemi biseduar për zgjedhje sepse mendojmë se ato nuk do të ndodhin këtë vit. Situata në qeveri nuk është alarmuese në ekstrem, ne na merr mendja që gjendja është OK dhe s’kemi menduar, por nuk përjashtohet asnjë mundësi sepse varet nga situata dhe partnerët me të cilët do të shkonim në koalicion”, ka thënë Makolli.
Sipas tij, meqë në zgjedhjet e fundit kanë qenë në garë më pak parti, atëherë qytetarët e kanë pas më të lehtë edhe me vendos për kë duan të votojnë.
E vetme në zgjedhje nëse ato do të mbaheshin tani, do të shkonte Lëvizja për Bashkim. Kryetari i kësaj partie, Valon Murati ka thënë për Indeksonline se tani nuk po merren me çështjen e zgjedhjeve.
“Ne jemi duke punuar dhe po përgatitemi që vet me dal në zgjedhje, nuk ka kurrfarë diskutimi brenda LB-së për këtë çështje. Zgjedhjet besojmë se nuk do të ndodhin aq shpejt sa të mendojmë për koalicione. Do të thotë nuk kemi folur fare për zgjedhje, vetëm po punojmë”, ka përfunduar Murati.