Ditë më parë, Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të njeriut, propozuan që përdorimi i burkas (mbulesa e tërësishme e trupit nga gratë myslimane) në vende publike të ndalohet me ligj dhe të mos lejohen që në gjykatë të hyjnë me burka.

“Ndalimi i përdorimit të burkas në vende publike nuk bie në kundërshtim me të drejtat e njeriut prandaj edhe duhet të sanksionohet me ligj. Burka po krijon paragjykime të opinionit ndaj atyre që e bartin sikur që bartësit e burkas po i identifikon me një dhunë potenciale . KMDLNj nuk ka asnjë dilemë për ndalimin e burkas në vende publike”, thuhej në deklaratën e këtij institucioni.

Image result for burka ne kosove

Ndërsa mbrëmë në Nd’rrimin e Natës, kjo çështje është diskutuar edhe në mes panelistësh, të cilët kanë dhënë opinionet e tyre rreth asaj nëse ndalesa është në kundërshtim me të drejtat e njeriut dhe nëse shteti ka legjitimitet që ta ndalojë praktikimin e fesë, ndonëse në Kosovë një gjë e tillë garantohet me ligj.

Besa Ismaili, ligjëruese në fakultetin e Shkencave Islame, ishte kundër një ndalese të tillë, meqë sipas saj kjo kundërshton një liri bazike njerëzore ndërsa shteti nuk ka të drejtë që të ndalojë praktikimin e religjionit edhe në publik.

Kurse Valentina Demolli nga KMDLNJ, deklaroi se bartja e burkas i izolon gratë nga shoqëria dhe ua pamundëson integrimin dhe punësimin, gjë që e dëmton gruan dhe mirëqenien e saj dhe në emër të këtij argumenti, ky këshill ka bërë thirrje që të ndalohet burka edhe me ligj.

Në anën tjetër, Skënder Perteshi nga Qendra Kosovare për studime të sigurisë, vlerëson se nuk ka rrezik nga gratë myslimane që praktikojnë veshjen e burkas meqë edhe statistikat globale, nuk japin indikacione se këto gra kanë kryer sulme terroriste siç edhe është krijuar paragjykimi i përgjithshëm i opinionit.